Presidenti Joe Biden do të udhëtojë në Poloni sot, ndalesa e tij e dytë në një udhëtim të minutës së fundit nëpër Evropë që synon të koordinojë përgjigjen e Perëndimit ndaj pushtimit rus të Ukrainës.
Sipas axhendës, pas mbërritjes së tij në aeroportin Rzeszóë-Jasionka, Biden do të përshëndetet nga presidenti polak Andrzej Duda dhe do të marrë një informim mbi përgjigjen humanitare ndaj luftës. Ai do të takohet me anëtarët e shërbimit nga Divizioni i 82-të Ajror në Rzeszóë përpara se të udhëtojë në Varshavë në mbrëmje.
Të shtunën, Shtëpia e Bardhë thotë se Biden do të zhvillojë një takim dypalësh me Andrzej Duda për të diskutuar se si SHBA dhe aleatët po reagojnë ndaj krizës së refugjatëve që ka pasuar si rezultat i luftës.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se vizita në Poloni ka për qëllim të nxjerrë në pah krizën masive të refugjatëve që ka pasuar që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë një muaj më parë.
Presidenti konfirmoi të enjten se shpreson të takohet me refugjatët ukrainas gjatë qëndrimit në Poloni. Megjithatë, nuk është e qartë se kur dhe ku do të zhvillohen ato takime të mundshme.
Më shumë se 3.6 milionë refugjatë janë larguar nga Ukraina, sipas të dhënave nga agjencia e Kombeve të Bashkuara.