
Asambleja e OKB-së miratoi me shumicë dërrmuese rezolutën që i kërkon Rusisë ndërprerjen e menjëhershme të luftimeve në Ukrainë dhe tërheqjen e të gjitha trupave nga territori i saj.
140 vende votuan pro rezolutës, ndër to edhe Shqipëria dhe vendet perëndimore, por edhe Serbia, ndërkohë 38 abstenuan, ndër to edhe Kina dhe 5 votuan kundër, të njëjtat e rezolutës fillestare kundër këtij konflikti: Rusia, Siria, Bjellorusia, Eritrea dhe Koreja e Veriut. Të abstenuarit ishin tre më shumë, ndërkohë që vendet “pro” ranë me një votë.
Ndërkohë, Pekini zyrtar duket i vetmi vend që mund të ndalojë vullnetin e Vladimir Putin për luftë. Por, ambasadori kinez në OKB, Zhang Jun në fjalën e tij sinjalizoi se fundi i konfliktit është larg.
“Vendet e zhvilluara nuk janë pjesë e këtij konflikti dhe nuk duhet të futen në këtë çështje, për mos të vuajtur pasojat e mundshme të këtij konflikti. Vendet e rëndësishme nuk duhet të kenë një qasje të tipit o me mua, o kundër meje, prioriteti ynë është të shmangim viktimat civile, dhe të mundohemi për të negociuar një armëpushim”, tha ai.