Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të shtunë në Korschenbroich të Gjermanisë.
Siç shkruan Bild, një avion i vogël u rrëzua mbi një shtëpi, duke lënë të vdekur dy persona, mes tyre edhe pilotja 71-vjeçare.
Sipas të dhënave paraprake, pilotja kishte raportuar probleme me motorin gjatë fluturimit dhe nuk vonoi shumë derisa avioni ra sipër tarracës së një shtëpie, duke e lënë të shkatërruar.
Një fqinj, e përshkruan kështu momentin dramatik:
“U dëgjua një shpërthim shumë i fortë dhe menjëherë pashë tymin që kishte mbuluar banesën. Vrapuam drejt shtëpisë për të ndihmuar. Fqinji im e kishte parë avionin duke rënë dhe arriti të dilte nga shtëpia, ndërsa gruaja e tij vdiq.”
Megjithatë, ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse viktima e dytë është banore e shtëpisë.
Pritet që policia gjermane të dalë me një njoftim të plotë mbi tragjedinë.