Senatori republikan takon Zelenskin në Kiev: Ukraina nuk do humbasë! Gati projektligji për sanksione të ashpra ndaj Rusisë

30 May 2025, 21:38Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Senatori republikan takon Zelenskin në Kiev: Ukraina nuk do humbasë!
Volodomyr Zelensky, Lindsey Graham

Senati Amerikan mund të fillojë shqyrtimin e një projektligji për sanksione të ashpra kundër Rusisë që javën e ardhshme, njoftoi senatori republikan Lindsey Graham gjatë një konference për shtyp në Kiev të Ukrainës.

"Pres që javën e ardhshme Senati të fillojë të propozojë projektligjin për sanksionet. Ka anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve që janë gati të propozojnë në Dhomë dhe do të shihni veprime të Kongresit", tha Graham.

Senatori amerikan shtoi se nuk sheh asgjë, përfshirë bisedimet në Stamboll, që do të tregonte dëshirën e Rusisë për paqe.

"Pra, kur të kalojnë këto dy javë, mendoj se të gjithë do ta kuptojnë se Rusia po luan një lojë në kurriz të botës, jo vetëm të Amerikës. Ne do ta ndryshojmë atë lojë për Rusinë. Loja që po luan Putini është gati të ndryshojë. Shtetet e Bashkuara do ta godasin atë - dhe do ta godasin fort - kur bëhet fjalë për sanksionet. Kina, loja që po luani me Rusinë do të ndryshojë gjithashtu. Nëse vazhdoni të blini naftë të lirë ruse - duke ushqyer makinën e luftës së Putinit - të gjitha mallrat tuaja që hyjnë në SHBA do të përballen me një tarifë prej 500%", shtoi ai.


Video