Qeveria i jep një kompanie anonime, nën petkun e investitorit strategjik, një nga plazhet më të bukura në Himarë

3 March 2022, 11:52Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Qeveria i jep një kompanie anonime, nën petkun e investitorit
Pamje nga fshati Gjilekë, Himarë

Qeveria vendosi t’i kalojë një kompanie anonime nën petkun e investitorit strategjik një prej plazheve më të bukura në jug të vendit në zonën e Gjilekës në Himarë.

Përmes një vendimi të kaluar të mërkurën, Qeveria i kalon për 30 vite brigjet dhe plazhin kompanisë “AGTTC Hotel Management”, sh.p.k., me numër identifikimi unik M11825022K.

Sipas të dhënave të QKR-së, kompania është themeluar më 25 qershor 2021.

Kompania do të realizojë projektin “Dreamades Luxuri Suites” në Gjilekë të Himarës, që ka marrë statusin e investitorit strategjik më 29 mars 2021, pra tre muaj para themelimit të vetë kompanisë që do ta zbatojë këtë projekt.

Dyshimet shtohen edhe më tej nga të dhënat e kompanisë “AGTTC Hotel Management”. Ajo rezulton me një kapital themelimi prej 50 mln lekësh dhe në pronësi 100 për qind të shtetases amerikane, Tawni Lin Grzyeh — Sutton.

Në statutin e themelimit të shoqërisë thuhet se Tawni Lin Grzych - Sutton shtetase amerikane, e lindur me 17 tetor 1990 në Massachusetts, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e pajisur me Leje Qëndrimi në Shqipëri, banuese në Rezidencën “Kodra e Diellit”, Tiranë dhe identifikuar me pasaportën nr.*********, madhore e me zotësi të plotë juridike e për të vepruar.

Selia zyrtare e Shoqërisë ndodhet në adresën: Njësia Bashkiake nr. 5, Rruga “Dervish Bej Mitrovica”, Pallati “Kristi-Co”, Nr. 6, dyqani nr. 1, Tiranë, Shqipëri.

Nga një kërkim i përgjithshëm në Google, për këtë shtetase nuk del asnjë e dhënë dhe asnjë lidhje me kompani, apo investime të ngjashme të këtij lloji në të shkuarën, çka sugjeron se i gjithë investimi strategjik në këtë zonë dhe një prej plazheve më të lakmuara të bregdetit shqiptar po i jepet për 30 vite një kompania e personi anonim.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video