
Qeveria përdori Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor për të siguruar vaksinat përmes mekanizmit të Covax.
4 milionë dollarë iu hoqën kësaj skeme me një vendim të Qeverisë në 13 nëntorit 2020. Marrëveshja me Covax ishte ratifikuar në Kuvend dy muaj më parë. Sipas kësaj marrëveshjeje, Shqipëria duhet të paguante 456 mijë dollarë si garanci dhe 3.35 mln dollarë të tjerë si parapagim.
Përdorimi i këtij fondi çon në dyshimet logjike se në ato ditë, Qeveria ka qenë në vështirësi të mëdha financiare, përsa kohë nuk ka kryer pagesën e Covax përmes programit të shërbimeve të shëndetit publik, si pjesë e Ministrisë së Shëndetësisë.
Por, në vend të kësaj është cekur Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, që edhe aq sa ishte u cenua nga shkurtime e devijime zërash, madje duke u përdorur edhe për të paguar energjinë, gjobat gjyqësore dhe karburantet.
FSDKSH-ja pati në 2020 një buxhet të cunguar me mbi 800 mln lek. Shkak u bë zhvendosja e këtyre parave për të përballuar pasojat e pandemisë, përmes një vendimi që bie ndesh me ligjin mbi të cilin funksionon ky fond dhe parimet e tij, për të siguruar e garantuar mbulimin universal mjekësor për të gjithë qytetarët.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.