AlbControl nxjerr jashtë loje Avokaturën e Shtetit, pajton belgë për të zhbllokuar llogaritë nga Becchetti

16 February 2022, 21:07Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
AlbControl nxjerr jashtë loje Avokaturën e Shtetit, pajton belgë
Zyrat qendrore të AlbControl në Rinas

Albcontrol shpenzon miliona lekë për të paguar një zyrë ligjore belge për zhbllokimin e llogarive të tij në Eurocontrol, megjithëse ligjet shqiptare në fuqi ia ngarkojnë këtë detyrë Avokaturës së Shtetit.

Shpenzimet janë përfshirë që në shkurt të vitit të kaluar në zërin “asistencë ligjore për çështjen e ngrirjes së llogarive bankare në Eurocontrol” dhe të paktën për një vit përllogariten në rreth 13 mln lek. Arsyetimi që ka dhënë Albcontrol për kontraktimin e zyrës ligjore belge është se kjo kompani ka përvojën dhe ekspertizën e duhur për çështje të tilla në gjykata.

Vendimi nxjerr jashtë loje Avokaturën e Shtetit, që në këtë rast AlbControl vë në dyshim nëse Avokatura nuk di, nuk do, apo nuk është e aftë që të mbrojë interesat e qytetarëve shqiptarë përballë gjykatave ndërkombëtare.

Kjo mund të interpretohet edhe si shkelje e ligjit mbi të cilin është ngritur dhe funksionon Avokatura e Shtetit. Në nenet e tij ky ligj thotë shprehimisht se “shteti shqiptar në gjykatat e huaja, ndërkombëtare dhe të arbitrazhit mbrohet nga Avokatura e Shtetit”.

Kontraktimi i një zyre ligjore të huaj nuk parashikohet në asnjë nen të ligjit për funksionimin e Avokaturës së Shtetit, sepse në rast se beteja ligjore humbet, kush do të mbajë përgjegjësi? Kujt t’i kërkojnë llogari qytetarët shqiptarë? Zyrës ligjore belge?!

Përveç kësaj, kontraktimi në këtë rast është bërë për të rrëzuar në apel vendimin e gjykatës belge që ka bllokuar llogaritë e AlbControl për llogari të biznesmenit Francesco Becchetti, që fitoi në prill të vitit të kaluar gjyqin me shtetit shqiptar në Arbitrazhin e Bankës Botërore, që e dënoi vendin tonë me 100 mln euro dëmshpërblim.

Por, kontraktimi i belgëve është thikë me dy presa, sepse nëse beteja në gjykatë dështon, atëherë shqiptarët do të humbasin dy herë, do të paguajnë edhe paratë e Becchetti-t, edhe zyrën ligjore belge që është kontraktuar.

Gjithsesi, këtë praktikë e ka ndjekur e para edhe vetë Avokatura e Shtetit. Në të shkuarën zyra ligjore të fuqishme ndërkombëtare, kryesisht me bazë në Londër janë kontraktuar në Arbitrazhe të ndryshme ndërkombëtare, ku shteti shqiptar është paditur.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video