Procesi hetimor që ka ndërmarrë Partia Demokratike në Kuvend për koncesionet e inceneratorëve të Tiranës, Fierit dhe Elbasanit është shoqëruar me një kakofoni shifrash. Është folur për shifra që nisin nga mijëra euro e deri te shifra 430 milionë euro.
Shifrës së fundit i mëshoi edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha gjatë konferencës me gazetarët ditën e diel.
"430 milionë euro u kanë kushtuar shqiptarëve nga inceneratorët, para që i mungojnë shëndetësisë, prindërve për fëmijët e tyre, para që i mungojnë pensionistëve, që i mungojnë familjeve të hequra padrejtësisht nga skema e ndihmës ekonomike”, tha Basha.
Po çfarë është shifra 430 milionë euro dhe cili është burimi?
Shifra ka dalë nga një projekt-raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit në vitin 2020, në atë kohë drejtohej nga Bujar Leskaj, aktualisht është deputet i PD. Sipas KLSH, nga studimi i fizibilitetit, totali i kostove të ndërtimit dhe operimit të inceneratorit të Tiranës kapte vlerën e 430 milionë eurove. Por, raporti sqaronte gjithashtu edhe kostot e burimin e të ardhurave për kompaninë.
Sipas këtij vlerësimi, të ardhurat që inceneratori i Tiranës do të gjeneronte përgjatë gjithë periudhës së koncesionit, pra për 30 vite, nga shitja e energjisë elektrike vlerësohet rreth 133 mln euro. Kësaj shume i shtohen 78 mln euro të tjera të gjeneruara nga shitja e skrapit dhe mbetjeve të tjera të riciklueshme, që përfitohen nga procesi i nisur tashmë në Sharrë i seleksionimit dhe ndarjes së tyre.
Pra, vetëm nga këto dy burime të aktivitetit të inceneratorit, koncesionari në 30 vite do të sigurojë gjysmën e të ardhurave totale.
Por, a mund të quhen para të taksapaguesve këto të ardhura?
Në rastin e energjisë elektrike, inceneratori do të shesë në tregun e lirë një produkt, njësoj siç po bëjnë sot HEC-et private dhe e njëjta gjë vlen edhe për mbetjet e riciklueshme.
Projekt-raporti i KLSH-së, i cili nuk është publikuar kurrë zyrtarisht dhe përllogarit që fitimet e koncesionarit përgjatë 30 viteve të jenë në rreth 120 milionë euro. Nëse kjo shifër pjesëtohet me 30, aq sa është periudha e koncesionit, fitimi vjetor del 4 milionë euro.
Shifra tjetër pas të cilës është kapur opozita është ajo e tarifës prej 29 eurosh për ton për depozitim. Por, edhe në këtë rast nuk përmendet fakti që kjo shifër prej 29 eurosh do të qëndrojë e paprekur për të gjithë periudhën koncesionare, duke mos pasqyruar në të efektin inflacion dhe as amortizimin e mjeteve dhe nevoja për investime të vazhdueshme në impiant.
Të gjitha këto, duke llogaritur që kompania po e ndërton me fondet e veta impiantin dhe gjithë infrastrukturën e nevojshme të këtij inceneratori me kosto që përllogaritet në 128 milionë euro. Pra, po investohen brenda pak viteve nga privati 128 mln euro për të fituar brenda 30 viteve 120 mln euro, ose 4 milionë euro në vit.
Parashikimet nuk janë fikse, ato mund të ndryshojnë edhe në varësi të parashikimeve të kontratës, por të pretendosh që në këtë rast për ofrimin e këtij shërbimi privati të mos fitojë nuk ka logjikë. Dihet që qëllimi kryesor i çdo sipërmarrësi është fitimi. Tjetra është që në këtë rast fitimi i siguruar nuk buron i gjithi nga shteti dhe nuk është “vjedhje” siç akuzohet, sepse edhe në rastet kur buron nga shteti është pagesë për një shërbim të kryer nga privati.
Për të vazhduar më tej, shërbimi i ofruar është depozitimi, grumbullimi dhe ndarja e mbeturinave të riciklueshme, proces që ka filluar tashmë dhe më pas djegia e mbeturinave të pariciklueshme për të prodhuar energji, ku sërish kompania koncesionare është brenda afateve të vendosura nga kontrata, që ka parashikuar që ky proces të përmbyllet brenda gjashtë viteve nga dalja e lejes së ndërtimit, leje që ka dalë në nëntor të 2020-s.
Nëse do të përdornim logjikën që përdor opozita (jo paqëllim), mund të listojmë një sërë koncesionesh, siç është tarifa e Rrugës së Kombit si vjedhje dhe abuzim me paratë publike.
Por e vërteta nuk është kështu.
Por, ajo që Basha dhe deputetët demokratë të Komisionit Hetimor shmangin në deklaratat e tyre është burimi i kësaj shifre dhe fakti që një pjesë të konsiderueshme të këtyre të ardhurave kompania do t’i gjenerojë nga aktiviteti i vet.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



