Tenderi i shpallur me objekt “Rikonstruksion i rrugës Qukës Skënderbe, Bashkia Përrenjas” kap shifrën e 68 milionë lekëve. Një shifër shumë e madhe për këtë rikonstruksion, ku duket se nga kjo shumë e majme rruga mund të ishte bërë nga e para.
Por përtej këtyre shifrave ajo që bie në sy është se kompania fituese e këtij tenderi është “Shkëlqimi 07” e cila është në pronësi të Shkëlqim Kapllanaj.
Në tenderin prej 68 milionë lekësh të publikuar nga Agjencia e Prokurimit Publik, Bashkia Përrenjas për rikonstruksionin e kësaj rruge, ka vendosur një fond limit prej 150 milionë lekësh për këtë urë. Fitues i këtij tenderi është shpallur “Shkëlqimi 07” me ofertën më të ulët nga kompanitë konkurruese prej 36 milionë lekësh.
Deri tani proçedurat janë të rregullta, por ajo që është ironia e fatit është se skandalin për rikonstruksionin e kësaj rruge e denoncon deputeti i Përrenjasit, Lefter Gështenja. Deputeti i partisë Demokratike me anë të një statusi në Facebook shkruan se: “Kjo është rruga Qukës-Skënderbe investim i bashkisë Prrenjas dhe në defterin e qeverisë quhet investim i përfunduar. Gjykoni vetë nga fotot mbi standardin e punimeve. Fondet janë harxhuar për një gjysmën rruge dhe në pranverë do duhet të ribëhet nga e para. Kostoja e korrupsionit e kësaj qeverie po i kushton shumë vendit dhe nuk po kursen as zonat më të varfëra”.
Nuk dihet ende nëse deputeti i Partisë Demokratike e dinte që këtë rrugë e kishte shtruar, kompania e vëllait të Agron Kapllanaj mikut të ngushtë të kryetarit të PD-s Lulzim Basha. Siç e kemi parë shoqëria mes Agron Kapllanaj dhe kryetarit të PD është bërë e ngushtë aq sa Basha i besoi PD-n e qarkut të Fierit.
Disa nga banorët që preken nga kjo rrugë thanë për Voxnews.al se, cilësia e punimeve është e dobët dhe “përfaqësuesit e kompanisë sa herë na shikojnë largohen”. Banorët thanë për Voxneës.al se kërkojnë që rruga të bëhet me kanalizime si dhe me tubacione të shkarkimit të ujërave.




Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe njëkohësisht deputet i kësaj zone, një muaj më parë ndau foto nga kantieri i punimeve në fshatin Qukës-Skënderbe.
Balla shkruante para Vitit të Ri se “po punohet në Qukës-Skënderbe, për ta përfunduar rrugën që e lidh me aksin kombëtar Librazhd-Prrenjas. Jam shumë krenar që fjala e dhënë se rruga do të përfundojë brenda vitit 2021 u mbajt”.

Kjo ishte fotoja që postoi asokohe deputeti i kësaj zone Tulant Balla por duket se realiteti është krejtësisht ndryshe.
Pasi siç duket nga fotot dhe ankesat e banorëve që kanë ardhur në redaksinë e Voxnews, rruga mirë që nuk është përfunduar, por edhe puna e deritanishme është një skandal i vërtetë.


©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.