Vox News në një studim të kujdesshëm të Ligjit Nr.162 datë 23.12.2020 “Për prokurimin publik” dhe Udhëzimit Nr.06 datë 16.07.2021 “Mbi përdorimin e procedurës me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës dhe zhvillimin e saj me mjete elektronike” evidentuan një problematikë të vogël në dukje por me shumë rëndësi në thelb analizuar si më poshtë:
Sipas këtij ligji, në nenin 47 tw tij renditen rastet kur lejohet përdorimi i kësaj procedure prokurimi, konkretisht procedurës me negocim pa shpallje paraprake, dhe një ndër to, sipas pikës, 1, shkronja “a)”, është rasti kur; “në përgjigje të dy procedurave të njëpasnjëshme të hapura ose të hapura të thjeshtuara, shërbimit të konsulencës ose procedurës së kufizuar apo në përgjigje të një procedure të publikuar për konkurrim të lidhur me aktivitetet sektoriale sipas kreut X të këtij ligji, nuk është paraqitur asnjë ofertë apo kërkesë për pjesëmarrje, ose kur ofertat apo kërkesat për pjesëmarrje të dorëzuara kanë qenë të papërshtatshme.”
Përcaktimi që bën më tej vetë dispozita, për ofertat që vlerësohen si “të papërshtatshme”, është rasti kur “një ofertë nuk ka lidhje me kontratën dhe duket qartë që nuk mund të plotësojë, pa pësuar ndryshime thelbësore, nevojat dhe kërkesat e autoritetit ose entit kontraktor, të specifikuara në dokumentet e tenderit.”
Një përcaktim i tillë, pa asnjë kriter konkret vlerësues apo përcaktues, krijon hapësira për vlerësim subjektiv për autoritetet dhe entet konktraktore.
Ky vlerësim i paorientuar në të dhëna/tregues të matshëm shmang konkurrencën dhe orienton/favorizon përzgjedhjen e operatorit ekonomik “të synuar”, duke rritur më tej dhe abuzimet me fondet e shtetit për të cilat voxnews.al do të sjell raste konkrete në vijueshmëri të punës së saj për informacione në interes të publikut.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.