Foto/ Goditja Call Center-ave mashtruese në Kosovë, arrestohet ish-banorja e Big Brother VIP dhe futbollisti i njohur! (Ja roli i saj dhe skema që përdornin)

24 October 2026, 15:16Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto/ Goditja Call Center-ave mashtruese në Kosovë, arrestohet
Ariana Plakici

Ish-banorja e “Big Brother VIP Albania 2”, Ariana Plakici, është mes nëntë personave të arrestuar në Kosovë, në kuadër të një operacioni kundër mashtrimeve të dyshuara përmes qendrave të thirrjeve (call center).

Në mesin e nëntë personave të arrestuar janë, Ariana Plakici dhe ish-futbollisti i KF Prishtina e Re, Toni Salihu.

Sipas raportimeve, aksioni u zhvillua më 23 tetor 2026 në Prishtinë dhe Obiliq, ku policia kontrolloi katër lokacione të dyshuara se përdoreshin për veprimtarinë e paligjshme. Në mesin e të arrestuarve janë shtetas të Kosovës dhe të huaj.

Si funksiononte skema e dyshuar

Sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj, nëntë personat dyshohen se gjatë vitit 2026 kanë vepruar në mënyrë të organizuar, duke përdorur qendra telefonike për të mashtruar shtetas të huaj dhe për të përfituar para në mënyrë të kundërligjshme.

Të dyshuarit dyshohet se u paraqiteshin viktimave si përfaqësues të kompanive të investimeve financiare dhe i nxisnin të investonin para, përfshirë në platforma të lidhura me kriptovalutat.

Ata dyshohet se përdornin edhe pajisje dhe sisteme kompjuterike për të siguruar qasje në distancë në kompjuterët e personave të dëmtuar. Mes personave të shënjestruar dyshohet se kishte shtetas suedezë dhe qytetarë të tjerë të huaj.

Çfarë u sekuestrua gjatë operacionit

Gjatë kontrolleve në katër lokacione, policia sekuestroi 39 kompjuterë, pesë telefona celularë, 12 pajisje të jashtme për ruajtjen e të dhënave (HDD), një automjet, një armë zjarri me gjashtë fishekë, si dhe 850 euro dhe 100 franga zvicerane.

Nëntë të dyshuarit u ndaluan për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit. Më pas, Prokuroria Themelore në Ferizaj kërkoi nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.

Hetimet vijojnë për të dokumentuar veprimtarinë e dyshuar dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë./Sinjali



Video