
Mbyllja gjysmëshekullore, lufta e klasave, shtypja dhe vendosja më dhunë e regjimit komunist në pjesën më të madhe të zonave malore të vendit formësoi për herë të parë stereotipin e ‘malokut’ përmes propagandës së regjimit.
Megjithatë, vetë regjimi u kujdes që ky stereotip të mos përgjithësonte, por të shënjestronte vetëm armiqtë e tij politikë. Demokracia pas ’90-s nxorri veç lirisë së fjalës e shprehjes nxorri solli si efekt anësor edhe diskriminimin krahinor. Lushnjarit po i thuhej laluc, e malësorit ‘malok’.
Por, edhe në këtë rast diskriminimi krahinor mbeti jashtë institucioneve, mbeti mes shoqërisë, të cilës iu deshën më shumë se dy dekada ‘që të piqej’ e ta transformonte diskriminimin krahinor nga një ofendim, në përgjithësisht humor.
Madje edhe vetë veriori i thërret veriorit ‘malok’ në formë shakaje. Por, kur termi ‘malok’ futet e shqiptohet nga aktorë të një institucioni shtetëror, aq më tepër nga zyrtarë që pretendohet se kanë pastërtinë, integritetin dhe profesionalizimin për të vendosur drejtësi për gjyqtarët e prokurorët, këtu ka një problem të madh.
Pikërisht kështu e quajti Genta Bungo, prokuroren Elisabeta Imeraj. Më e pakta, që duhej të kishte bërë sot anëtarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit duhej të ishte ndjesa dhe dorëheqja, sepse ajo ka njollosur gjithë reformën në drejtësi, për të cilën në 6 vitet e fundit janë investuar e treguar të duruar aq shumë shqiptarët.
Anëtarja e KPK-së ka zgjedhur heshtjen me shpresën se ‘çudia më e madhe tri ditë zgjat’. Por, protesta e organizuar këtë të premte në Tiranë nga aktorë të shoqërisë civile me slogane “Edhe unë jam malok” është një tregues se ky rast bën përjashtim dhe ashtu duhet të jetë.
Sepse sipas Genta Bungos, gjithë energjia, paratë, burimet njerëzore dhe vullneti shoqëror për spastrimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri nuk qënka një proces për të larguar të korruptuarit, por për të larguar malokët.
Nëse është kështu, qytetarët kanë të drejtë dhe duhet që ta refuzojnë. Drejtësia e re s’mund të ngrihet mbi njollat e diskriminimit krahinor.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.