Pse ‘embargoja’ ndaj basteve dhe gjuetisë po dëmton vetëm shtetin

6 April 2022, 20:22Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Pse ‘embargoja’ ndaj basteve dhe gjuetisë po dëmton
Foto ilustruese

Në pamundësi për të kontrolluar e mbikëqyrur një aktivitet, qeveritë shqiptare ndër vite i kanë rënë shkurt duke e bllokuar fare atë. Shembullin i pari e dha Sali Berisha nga 2005 deri në 2013-të, kur nga pafuqia për të kontrolluar vijën bregdetare zgjodhi që të shpallë moratoriumin e skafeve si mjet për të luftuar trafikun e qenieve njerëzore, drogës e kontrabandën e mallrave.

Filozofinë e Berishës në 2005 e mori Edi Rama, duke shpallur moratoriumin e gjuetisë në 2013-n dhe në 2019-n ndalimin e basteve, që të dyja aktivitete me informalitet e paligjshmëri të lartë deri në atë kohë.

Por, çfarë ndodhi? Bastet sportive jo vetëm që nuk janë ndalur, por në Shqipëri vazhdojnë të lulëzojnë në përmasa masive në vend dhe me fitime edhe më marramendëse, pasi duke qenë ilegalë nuk paguajnë asnjë taksë në shtet, në një kohë që deri para ndalimit të tyre, taksat varionin nga 25 deri në 50 për qind të fitimit.

Nisur nga këto shifra, ndoshta edhe vetë aktorët e basteve sportive që operojnë sot në mënyrë ilegale, nëse do të pyeteshin a duan që të rikthehet legalizimi, me shumë mundësi do të thonin që jo.

Arsyeja është e thjeshtë. Nëse do të operonin në një treg legal e të rregulluar, do të detyroheshin që të paguanin taksa, licencën, sigurimet për punonjësit e të gjitha detyrimet e tjera që burojnë nga legjislacioni tatimor. Sa për statistikë, në 2018-n, tregu i basteve sportive përllogaritet se ka xhiruar nga 130 deri në 140 mln euro. Kjo do të thotë se të ardhurat në arkën e shtetit, me regjimin e tatimit të 2018-s mund të ishin deri në 20 mln euro.

Shifra mund të duket modeste, por ajo është e mjaftueshme nëse kihet parasysh që i gjithë subvencioni dhe ndihma financiare për fermerët këtë vit është përllogaritur në rreth 14 mln dollarë. Kjo është njëra anë. Ana tjetër është punësimi. Para se të mbyllej, ky aktivitet punësonte nga 7 deri në 12 mijë vetë të deklaruar në skemën e kontributeve shoqërore.

Edhe kjo shifër mund të tingëllojë modeste, por që mund të rezultojë një ndihmë e vyer në këtë kohë krize çmimesh. Ndoshta këto janë arsyet se përse Komiteti Olimpik Shqiptar do të shtrojë për diskutim me Ministrinë e Arsimit të premten çështjen e basteve sportive.

Embargoja e dytë lidhet me gjuetinë. Edhe ky fenomen vijon në mënyrë ilegale, ndonëse jo në përmasat para vendosjes së ndalimit. Ndryshe nga bastet, kjo është më specifike, por ashtu si edhe për bastet, legalizimi me kusht kontrollin e fortë është zgjidhja më e mirë. Si shembull, gjuetia mund të lejohej me sezone të caktuara dhe në zona të caktuara, ku ky aktivitet nuk përbën kërcënim për zhdukjen e kafshëve apo shpendëve.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video