ERE ‘vulos’ keqmenaxhimin e Kaskadës: Si u tha në tre muaj liqeni i Fierzës

4 April 2022, 18:04Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

ERE ‘vulos’ keqmenaxhimin e Kaskadës: Si u tha në tre muaj

“Sikurse evidentohet, rezerva energjitike në fundin e muajit maj 2021 ka rezultuar në nivelin maksimal prej 1520 GWh dhe në fund të muajit gusht, kjo rezervë energjitike ka shkuar në 628 GWH, duke shënuar një rënie të ndjeshme dhe të shpejtë”.

Ky është një paragraf nga një raport i Entit Rregullator të Energjisë Elektrike që konfirmon dyshimet se Kaskada e Drinit u keqmenaxhua përgjatë vitit të kaluar, duke rënduar krizën energjitike në të cilën ka hyrë vendi, e që qeveria e ka shpallur prej nëntorit.

Raporti i ERE nuk është publikuar ende, por sipas asaj që thotë SCAN, në të theksohet se ruajtja dhe menaxhimi i duhur i rezervës hidrike në Kaskadën e Drinit është garanci e shtuar në sigurinë energjitike të vendit.

Rënia e nivelit të Fierzës dhe të rezervës energjitike, sipas ERE-s ekspozoi vendin ndaj importeve të energjisë elektrike, që për shkak të çmimeve të larta në tregjet ndërkombëtare po u kushtojnë financave publike miliona euro.

Për të vulosur keqmenaxhimin e digës, ERE citon edhe shifrat e prodhimit dhe të rezervave hidrike të vitit të kaluar. Raporti thotë se në janar të vitit të kaluar prurjet e Lumit Drin ishin më të lartat e regjistruara që prej vitit 1990. ERE thekson se gjysma e parë e 2021 ishte një periudhë me prodhim rekord energjie elektrike, por situata u përmbys shpejt në gjysmën e dytë të vitit.

Shqipëria ka shpenzuar përgjatë 2021 rreth 285 mln euro vetëm për blerjen e energjisë.

 


Video