
Konferenca për shtyp e Kryeministrit Edi Rama, ku prezantoi përgjigjet e qytetarëve për 12 pyetjet e këshillimit kombëtar përforcoi dyshimet se kreu i qeverisë e përdori këtë proces për të avancuar axhendën e vet vetëm për dy çështje.
Çdo të thotë kjo? Nga 12 pyetje, dy ishin ato që i interesonin Kryeministrit, legalizimi i kanabisit dhe amnistia fiskale. Dhjetë pyetjet e tjera, tek të cilat ai as që u ndal në këtë konferencë për shtyp më shumë se çështje, janë përfshirë në pyetësor për të fshehur këto dy çështje të ndjeshme që ai i ka hedhur për diskutim në të shkuarën dhe që të dyja janë kundërshtuar nga partnerët ndërkombëtarë.
Me përgjigjet pozitive të qytetarëve për të dyja këto tema, Rama ka një mjet më shumë për t’iu kundërvënë kundërshtisë së partnerëve. “Tani ka folur opinioni publik shqiptar dhe tani këtë gjë duhet ta marrin në konsideratë edhe partnerët tanë, që këtu duhet të bëhet ajo që thotë populli shqiptar”, tha ai.
Për të dyja çështjet ka kundërshti të partnerëve. Për të parën, dyshimet janë mbi aftësitë e autoriteteve shqiptare për të mbikëqyrur tregun e legalizuar të kanabisit dhe ndaluar kultivimin për qëllime jomjekësore të tij.
Për pyetjen e dytë, amnistinë fiskale FMN, Moneyval dhe Komisioni Europian kanë ngritur shqetësime se kjo amnisti mund të përdoret për pastrimin e parave të trafiqeve.
Përveç këtyre, vetë pjesëmarrja prej 560 mijë qytetarësh në këtë këshillim vë në pikëpyetje nëse ky proces vërtet përfaqëson vullnetin e shumicës së shqiptarëve, për të mos folur pastaj se ata që kanë kërkuar si legalizimin e hashashit, ashtu edhe amnistinë fiskale përbëjnë pak më shumë se 10 për qind të popullsisë totale të vendit.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.