
Francezët do të votojnë të dielën për Presidentin e ri të tyre dhe në garë për një mandat të dytë është edhe Presidenti aktual, Emmanuel Macron. Mes mesazheve të fundit që po përçon ai në këtë fushatë, është edhe ideja se Francës i nevojitet një President i fortë në këto kohë krizash, pasi një person normal do ta destabilizonte atë.
Termi që përdori Macron për të përshkruar idenë e tij ishte “jupiterian”, duke iu referuar “mbretit të të gjithë zotave”, sipas mitologjisë romake. Mund të duket hipokrizi e thënë në një vend që shekuj më parë flaku tutje monarkinë.
Por, në 50 vitet e fundit, Kushtetuta franceze ka evoluuar dhe evoluimi ka qenë gjithmonë në drejtimin e konsolidimit dhe rritjes së pushtetit të Presidentit.
“Kemi një President që është në krye të republikës, që kontrollon qeverinë, kontrollon parlamentin, kontrollon Gjykatën Kushtetuese. Të gjitha këto e bëjnë një super-president, ashtu si Jupiteri, siç ne e quajmë Macron”, thotë për Euronews, Christophe Chabrot, lektor i së drejtës publike në Universitetin Lumiere të Lionit.
“Mund të krahasohet me fuqitë e mbretërve në fillim të shekullit të 19-të, kur shumë monarki filluan të humbasin pushtet përballë kryeministrave, por sërish kishin mjaftueshëm pushtet për të diktuar politikat në vendet e tyre”, ilustron ai.
Kritikët thonë se parlamenti francez po shndërrohet në një noter, që miraton çdo vendim të Presidentit dhe disa politikanë po kërkojnë ndryshim të Kushtetutës për të balancuar pushtetet.
“Presidenti i Francës, sipas ligjit, ka më shumë pushtet se çdo udhëheqës tjetër në Europë”, thotë Delphine Dulong, profesore e shkencave politike në Universitetin e Parisit.
Kushtetuta aktuale franceze daton nga 1958-ta, kur Gjenerali Charles de Gaulle themeloi republikën e re, pas rebelimit në Algjeri.
Presidenti Rene Coty tha në atë kohë se Franca ishte në prag të një lufte civile mes krizës së protestave dhe rebelimit, duke ja dorëzuar pushtetin Charles de Gaulle. Po atë vit, De Gaulle u zgjodh nga politika si Presidenti i parë i Republikës së Pestë.
Republika e vjetër datonte që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe i jepte më shumë pushtet parlamentit, duke krijuar destabilitet dhe konkurrencë të ashpër mes partive politike. Vizioni i De Gaulle për republikën e re ishte përforcimi i pushtetit ekzekutiv.
De Gaulle kërkonte një President që të mos kishte një pushtet të kufizuar. Në mendjen e De Gaulle, Presidenti ishte mbi partitë politike dhe duhet të ishte politikisht neutral. Por, ndryshime që ndodhën më vonë ishin ato që e përforcuan dhe betonizuan regjimin presidencial në të cilin ndodhet sot Franca.
Ndryshimi i parë madhor ishte referendumi i vitit 1962. Në përpjekje për të përforcuar trashëgiminë e tij, De Gaulle mbajti një referendum për mënyrën se si duhej të zgjidhej Presidenti. 62 për qind e votuesve ishin pro zgjedhjes së tij nga populli dhe jo nga klasa politike.
Ekspertët thonë se kjo lëvizje forcoi dhe legjitimoi pushtetin e Presidentit, por edhe e politizoi atë. Pas këtij referendumi, De Gaulle shpërndau parlamentin dhe mbajti zgjedhje të reja, ku fitoi shumicën.
Vite më vonë do të shfaqej ajo që njihej si ‘bashkëjetesa’ politike që ndodhte në rastet kur Presidenti dhe Parlamenti kontrolloheshin nga parti rivale. Që prej fillimit të republikës së pestë kjo ka ndodhur tre herë, në 1986, 1993 dhe 1997. Herën e fundit, Presidenti i djathtë, Jacques Chirac u detyrua që të emëronte socialistin Lionel Jospin si Kryeministër pas zgjedhjeve të parakohshme që thirri.
Chirac propozoi më vonë një ligj për të ndryshuaar Kushtetutën dhe kufizuar mandatin presidencial nga shtatë në pesë vjet. Propozimi u hodh për referendum, ku 73 për qind votuan pro.
“Presidenti përfaqëson interesin e përgjithshëm dhe vazhdimësinë e republikës. Ju do të keni mundësi që ta zgjidhni atë më shpesh. Zëri juaj, vendimi juaj ka rëndësi më shumë. E drejta juaj për të ushtruar demokracinë do të forcohet”, tha Chirac.
Por, propozimi i Chirac kishte një hile. Ndryshimet e paraqitura prej tij përcaktonin se zgjedhjet parlamentare mbaheshin në të njëjtin vit me ato presidenciale, rreth një muaj më vonë. Kjo garantonte se kushdo që fitonte presidencën, kishte të fituar edhe parlamentin, sepse koha ishte mjaft e paktë që qytetarët të ndryshonin mendim politik.
Zgjedhjet e mëvonshme e provuan këtë dhe që prej asaj kohe, çdo president, përfshirë këtu edhe Macron ka pasur pas vetes edhe shumicën në parlament. Macron është shembulli tipik, kur fitoi zgjedhjet presidenciale një muaj pasi u zgjodh President me një parti të panjohur dhe me emra deputetësh të panjohur për publikun deri në atë kohë.