Falë pajisjes së re inteligjente 'Droni edukues' janë ndëshkuar me masë administrative 1092 drejtues mjetesh. Këta persona kryen shkelje të ndryshme në rrugë.
Po ashtu, janë ndëshkuar me masë administrative edhe drejtues mjetesh, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit. Ajo që bie në sy në videon e policisë është se forcat blu nuk kanë kursyer as kompaninë e ndërtimit "Alesio 2014".
Kamioni i kompanisë "Alesio 2014" është gjobitur nga policia për hedhje inertesh betoni pa leje. Shuma që ka "goditur" xhepat e kompanisë është 150,000 lekë të vjetra. Në rrjetet sociale janë publikuar shumë video të kësaj kompanie e cila ndot ambientin me inertet e tyre por kësaj here duket se paska rënë në radarin e policisë.
Shqipëria është në prag të nisjes së sezonit turistik por ndotja që po shkaktohet nga mbetjet inerte është kthyer në një problem serioz.
Përgjatë anëve të rrugëve nacionale e kryesisht në brigjet e lumenjeve dhe perrenjve sasira të mëdha mbetjesh të ngurta po bllokojnë jo vetëm rrjedhjen e ujërave, por kanë shkatërruar në mënyrë serioze mjedisin.
Gjoba të majme deri te pezullimi i lejeve ndaj çdo biznesi që menaxhon mbetje spitalore, apo kompani ndërtimi që nuk hedhin inertet në vendet e caktuara. Pas Kryeministrit ishte ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro që ngriti zërin dhe paralajmëroi masa drastike për abuzuesit.
Oligarkët shqiptarë të ndërtimit, Kastrati dhe Salillari ata të cilët janë bërë meme jo vetëm në rrjetet sociale, por edhe në pankartat e protestave, akuzohen përditë se po shfrytëzojnë gjithçka vetëm për të fituar të ardhura. Por pangopësia e tyre nuk ndalet as tek mbetjet. Edhe këtu duan të përfitojnë.
Krimi i rëndë mjedisor që po ndodh edhe në ndërtimin e pallateve afër stadiumit ku Kastrati ndërton dhe Salillari mbledh inertet, të cilat i hedh në vende që ndosin mjedisin.
Organet ligjzbatuese, siç është Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe institucionet duhet të veprojnë, sepse nën hundën e tyre po hedhin dhe ndosin kryeqytetin dhe jo vetëm.
Një ndërton dhe tjetri mbledh inertet, si bashkëpunojnë Salillari dhe Kastrati për "xhepat" e tyre?
Biznesmeni Shefqet Kastrati, pasi bleu Hotel Sheraton, që më pas e bëri Mak Albania, mori leje për të ndërtuar disa kulla të tjera në atë zonë, duke shkelur rregullat mjedisore dhe duke dëmtuar kurorën e gjelbër të Parkut të Liqenit.
Si të mos mjaftohej me kaq, pra duke betonizuar një pjesë të asaj që njihet si mushkëria e Tiranës, me mijëra tonë inerte, Kastrati nuk i hedh si shumica e ndërtuesve të tjerë në vendet e përcaktuara, por në... lumenj.
Fillimisht Kastrati kishte nënkontraktuar kompaninë Alessio 2014 sh.p. k. e cila zbatonte rregullat dhe i depozitonte inertet në vendet e përcaktuara. Kjo zgjati deri para disa ditësh kur marrëdhënia mes tyre u ndërpre. Më pas del në skenë mjeshtri i inerteve dhe shkatërrimit të lumenjve, Pëllumb Salillari.
Ky i fundit merr përsipër të bëhet bashkëpunëtori i Kastratit në shkeljen e ligjeve e rregullave mjedisore, duke depozituar inertet në afërsi të lumit Erzen, kilometri 20 Tiranë-Elbasan.
Depozitimi i mbetjeve të tilla në lumenj po shkatërron me shpejtësi ekosistemet e tyre, madje në shumë raste ka ndikuar edhe në devijimin dhe zgjerimin e shtretërve natyrale të tyre, duke pasuar një efekt zinxhir dhe me dëme të pallogaritshme, sidomos në pjesën pranë grykëderdhjes, ku veç ndotjes që depozitojnë në det, kanë shkatërruar edhe dhjetëra hektarë tokë pjellorë në zonat nga kalojnë.