Rama e Vuçiç ngushëllojnë njëri-tjetrin - I pari e mbron nga ‘presioni’ i BE, i dyti kërkon hapjen e negociatave për Shqipërinë

23 June 2022, 18:45Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rama e Vuçiç ngushëllojnë njëri-tjetrin - I pari e
Rama e Vuçiç ngushëllojnë njëri-tjetrin

Mimika dhe gjuha e përdorur nga Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç në konferencën për shtyp në përfundim të samitit të përbashkët BE-Ballkani Perëndimor treguan se katër orë qëndrimi në sallë me udhëheqësit e unionit nuk kanë qenë aspak të lehta.

Duke u ankuar për Brukselin, se si ai nuk mbante fjalën e të tjera e të tjera, Rama e Vuçiç morën në mbrojtje njëri-tjetrin.

Rama tregoi para gazetarëve një episod nga brenda takimit. Ai tha se kur kishte marrë fjalën u kishte kërkuar udhëheqësve të BE-së që të mos shtojnë fort me presionin ndaj Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Sipas Ramës, kjo mund ta shtynte Serbinë edhe më tej drejt Putinit.

“Serbia është në një pozicion mjaft ndryshe nga ne. Është një realitet krejtësisht ndryshe. U përpoqa t’u shpjegoj se po flasim për një vend ku popullariteti për Vladimir Putin është 80 për qind dhe ku njerëzit nuk janë të prirur të vrapojnë drejt Brukselit, por përkundrazi. Nuk i kuptoj kërkesat për sanksionet ndaj Serbisë, sepse Serbia nuk është në pozicion për të realizuar kaq shumë kaq shpejt dhe çuarja deri në kufi do të japë efektin e kundërt”, tha Rama.

Vuçiç ja ktheu nderin sapo mori fjalën.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut meritonin hapjen e negociatave. Unë nuk jam kaq i frustruar se Rama e Kovaçevski, por e pashë se sa të frustruar ishin ata dy aty brenda. Ne mbështesim rrugën europiane të fqinjëve tanë dhe BE nuk duhet të vonojë me negociatat”, deklaroi Vuçiç.

Negociatat edhe këtë herë u bllokuan nga vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut. Rama e cilësoi vendimin e Bullgarisë dhe gjithë situatën e krijuar në Sofje si një turp. Ai akuzoi Bullgarinë se si vend anëtar i NATO-s po mban peng dy vende të tjera anëtare të Aleancës.


Video