'Largohuni për 2 muaj'/ Ministria e Financave i përgjigjet “Hysenbelliu Group”: Panorama ka 6 vite pa paguar detyrimet

2 September 2022, 15:58Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
'Largohuni për 2 muaj'/ Ministria e Financave i përgjigjet
Biznesmeni, Irfan Hysenbelliu dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka reaguar sot lidhur me lajmin se Gazetës Panorama i është kërkuar të lirojë ambientet e marra me qira nga shteti, disa ditë përpara se fadromat e IKMT-së të nisin shkatërrimin e pishinave të resortit “Prestige”, aktivitete në pronësi të biznesmenit “Irfan Hysenbelliu”.

Ministria e Financave thotë se lirimi i ambienteve të “Panoramës” që është pjesë e “Focus Media News”, nuk është kërkuar nga kryeministri Edi Rama, por është bazuar në një vendim të formës së prerë të gjykatës, pasi gazeta në fjalë sipas MInistrisë ka 6 vite pa paguar detyrimet.

“Deklarata e mediave të zotit Irfan Hysenbelliu, se gjykata e ka shpallur të paligjshme shkresën e MFE është një trillim”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Sqarim i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë:

Në vazhdën e sulmeve të mbushura me trillime, të cilat kanë shënjestruar muajt e fundit institucionet e Tatimeve dhe Doganave, nga mediat e zotit Irfan Hysenbelliu, sot ka dalë një tjetër në adresë të MFE.

Sipas tyre, Kryeministri ka kërkuar lirimin e ambienteve shtetërore të marra me qira nga grupi mediatik i zotit Irfan Hysenbelliu për t’i mbyllur gojën mediave të tij. Kjo është një shpifje dashakeqe, si plot të tjera të prodhuara nga ky grup mediatik.

Bëjmë me dije se: Po, ka pasur një kontratë qiraje mes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe “Focus Media Group”, e cila ka përfunduar në datën 25.07.2022. Referuar kontratës së lidhur dhe konkretisht nenit 7 “Zgjidhja e kontratës”, pika 7.1, parashikohet që:

“Kontrata zgjidhet me mbarimin e afatit të përcaktuar në pikën 3.1 të kësaj kontrate”. Ministria e Financave dhe Ekonomisë, me cilësinë e subjektit qiradhënës, ka njoftuar subjektin përmes korrespondencës shkresore mbi përfundimin e afatit të kontratës së qirasë për godinat që duhet t’i kthehen shtetit.

Në të njëjtën kohë, “Gazeta Panorama”, pjesë e “Focus Media News” që ushtron aktivitetin e saj në të njëjtat godina, rezulton të mos ketë paguar as detyrimet financiare kontraktuale prej 6 vitesh.

Deklarata e mediave të zotit Irfan Hysenbelliu, se gjykata e ka shpallur të paligjshme shkresën e MFE është një trillim. Gjykata ka marrë një vendim pezullimi proceduarial të lirimit të godinave shtetërore, derisa çështja të trajtohet dhe zgjidhet me vendim gjyqësor të formës së prerë.

MFE e respekton plotësisht këtë vendim dhe pret që gjykata t’i njohë shtetit të drejtën e tij për të rimarrë pronën që i takon.

 


Video