Ku është fshehur “Tigri”, ai që përbetohej se kishte vëlla Irfan Hysenbelliun?!

2 September 2022, 17:21Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ku është fshehur “Tigri”, ai që përbetohej se
Irfan Hysenbelliu dhe Arben Ahmetaj

Shënim: Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit nisi në orët e para të mëngjesit një aksion për prishjen e një pishine në resortin e Irfan Hysenbelliut në Durrës, që autoritetet thonë se ishte pa leje, ndërsa pronari i News24 me leje.

Aksioni shkaktoi reagime. Ndër të parët ishte Ilir Meta, më pas Sali Berisha dhe të tjerë politikanë, figura publike e deri edhe media, ndonëse këto të fundit u treguan të vetëpërmbajtura, nisur nga fakti që janë më shumë të familjarizuara me prapaskenat e konfliktit të nisur mes Irfan Hysenbelliut dhe Qeverisë.

Mediat e Hysenbelliut prishjen e një pishine që kishte zënë plazhin publik në këtë zonë (pa i hyrë debatit me apo pa leje), e shitën si interes madhor publik me transmetim live që në minutat e para të nisjes së aksionit, në mëngjes deri rreth orës 16:30 minuta. Pra, për më shumë se 8 orë, shqiptarët ‘u mbytën’ në pishinë së bashku me fadromën e IKMT-së.

Gjithsesi, kjo ishte njëra anë e shpërfaqjes në mënyrën më të shëmtuar të mundshme të perceptimit qytetar se prej kohësh Irfan Hysenbelliu po i përdorte mediat për interesat personale. Ana tjetër ishte përpjekja e tij për të ngritur në dukje, një furtunë në pishinën e prishur tashmë.

Furtuna duhej ngritur me reagimet e politikanëve, opozitarë e qeveritarë. Të paktën ky ishte qëllimi. Nga opozita mori mbështetjen e reagimin e menjëhershëm nga Ilir Meta, më pas nga Sali Berisha dhe me radhë deputetët e figura të tjera politike të opozitës.

Folën të gjithë, por askush prej tyre nuk ishte ‘vëllai’ i Irfanit, ashtu siç e quante të paktën Arben Ahmetaj pronarin e resortit dhe të një grupi mediash. Ahmetaj është i njohur për vizitat e shpeshta në ‘Prestige Resort’, ku shpesh ulej edhe në ballë të tavolinave që organizonte.

‘Vëllai’, apo ‘Tigri’ i qeverisë, siç njihej ndryshe deri pak kohë më parë është zhdukur. Ai u fsheh në ditën që ‘vëllai’ i tij kishte më shumë nevojë. Por pse u fsheh ‘Tigri’. Arsyet mund të jenë disa. Marrëdhëniet e tij me Edi Ramën janë në pikën më të ulët dhe pas largimit nga qeveria ai është thuajse i larguar edhe nga drejtimi i PS-së në Qarkun e Vlorës.

Kjo mund të jetë arsyeja kryesore se përse ‘Tigri’ nuk gjeti guximin që t’i dalë në mbrojtje Irfan Hysenbelliut, ashtu siç bëri Alfred Peza, ish-deputet i PS-së. Por, kjo tregon se më shumë se sa ‘vëlla’, Arben Ahmetaj e ka përdorur Irfan Hysenbelliun për influencë mediatike, që ta përdorte më pas për t’u promovuar në shkallët e pushtetit, deri edhe si krahu i djathtë i Edi Ramës për shumë kohë.

Sigurisht, kjo influencë nuk fitohej me ‘buzëqeshje’, apo vetëm me drekat e darkat te ‘Prestige’ në Durrës. Do ta siguruar këtë influencë, ‘Tigri’ ka përdorur pushtetin për të shpërndarë benefite për mediat, të cilat më pas mbyllnin sytë e zinin veshët përballë akuzave për korrupsion në procesin e rindërtimit, apo mungesës së transparencës në tenderat e majmë, siç zbulon edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportet audituese.

E mes mediave që kanë ‘amnistuar’ Arben Ahmetajn nga akuzat për korrupsion, janë edhe ato të Irfan Hysenbelliut. Rastësi?

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video