
Retorika e gjithë qeverisë prej fundit të shkurtit dhe fillimit të marsit, kur nisi lufta në Ukrainë është përqendruar te fajësimi i kësaj lufte për krizën e çmimeve dhe me të drejt. Por, shenjat e krizës u dhanë që në nëntor kur shpalli situatën e jashtëzakonshme për furnizimin me energji elektrike.
Situata u shpall për shkak të pesëfishimit të çmimit të energjisë, ku një megavat kaloi 200 eurot. Për shkak të këtij çmimi dhe me nivelet e hidrocentraleve në nivelet më të ulta historike, Qeveria u detyrua të shpenzojë me miliona euro për të siguruar furnizimin me energji elektrike të vendit.
Deri në shkurt, shifra e përllogaritur e këtij shpenzimi në vetëm gjashtë muaj iu afrua 500 mln eurove, 150 mln euro më pak se borxhi që mori përmes eurobondit në vjeshtë. Pra, kriza kishte nisur dhe nisja e luftës në Ukrainë ishte goditja më e fortë.
Por, rritja e çmimeve pati efekte pozitive te të ardhurat e Qeverisë. Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, tatimet e doganat mblodhën rreth 230 mln euro më shumë se tremujori i parë i 2021-shit.
Këto të ardhura shtesë, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë financiarë kanë këshilluar që të përdoren për të ndihmuar shtresat në nevojë dhe biznesin e vogël në përballimin e krizës së çmimeve, duke shmangur kështu uljen e taksave.
Çfarë ka bërë Qeveria shqiptare? Nga 230 mln eurot ekstra të mbledhura në tremujorin e parë të këtij viti, Qeveria ka vënë në dispozicion për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale një fond prej 80 mln eurosh. Kategoritë në fjalë kanë përfituar që prej muajit prill 3 mijë lek shtesë ndihmë për të përballur kryesisht rritjen e çmimeve të ushqimeve.
Kur kaloi këtë paketë, Qeveria i referohej ndryshimit vjetor të inflacionit rreth 7 për qind dhe përllogariste se kriza e çmimeve kishte shtuar një kosto ekstra në buxhetet e këtyre familjeve shpenzime në vlerën e 2500 lekëve.
Kjo paketë mbështetëse përfundon në fund të muajit qershor. Qeveria nuk ka dhënë ndonjë sinjal nëse do ta zgjasë, apo jo. Por, edhe nëse e zgjat, me termat aktualë ajo do të jetë një thërrime për familjet më në nevojë, që rrezikojnë skamjen. Pse? Sipas raportit të INSTAT për muajin maj, grupi i ushqimeve të mallrave të shportës pësoi një rritje nga 18 deri në 30 për qind, ose rreth katër herë më shumë se përllogaritja e marsit e Qeverisë.
Kjo do të thotë se për të përballuar kostot e shtuara, familjeve në nevojë dhe pensionistëve qeveria duhet t’i mbështesë financiarisht me 9 mijë deri në 12 mijë lek të reja në muaj.
Nga ana tjetër, biznesit të vogël, që në pjesën dërrmuese të tij është biznes familjar, Qeveria i ka kujtuar refrenin se nuk paguan tatim fitimi, s’ka TVSh e të tjera lehtësira fiskale, sipas saj, duke e lënë jashtë paketave mbështetëse. A janë mjaftueshëm? Nëse i referohemi standardit që po ndjek me biznesin e madh, jo!
Krejt e kundërta ka ndodhur me kompanitë e tenderave, që sipas një vendimi të Qeverisë kanë të drejtë të aplikojnë për kompensimin e çmimeve të rritura të materialeve të ndërtimit për vlera shtesë nga 5 deri në 30 për qind të prokurimit publik për disa prej këtyre produkteve.
Ministria e Financave është treguar diskrete në dhënien e një shifre se sa do t’i kushtojë buxhetit ky vendim, por përllogaritet nga 60 deri në 80 mln euro.
Pra, duke llogaritur të dyja paketat mbështetëse, atë për pensionistët dhe atë për kompanitë e tenderave, nga 230 mln euro, Qeveria ka rishpërndarë rreth 160 mln dhe këtu vetëm gjysma e kësaj shume ka shkuar për shpërndarje për njerëzit në nevojë, pjesa tjetër shkon të një grup i vogël kompanish.
Pjesa tjetër, për 70 mln euro nuk është përmendur, por Voxnews.al mëson se shuma po ruhet si rezervë për të përballuar interesat e rritura të borxhit që ka marrë qeveria ndër vite. Sa janë rritur këto interesa? Nga Ministria e Financave heshtin, por humbjet mund të shkojnë në miliona euro. Sa për krahasim, në Britaninë e Madhe, Sekretari i Financave, Rishi Sunak po akuzohet se vetëm nga normat e rritura të interesit të huave qeveritare u ka shkaktuar britanikëve një dëm prej 15 miliardë euro.
E thënë më thjesht, Qeveria po ua kalon të gjithë barrën e krizës së çmimeve qytetarëve dhe kjo vështirë se ka për të ndryshuar edhe në pjesën tjetër të vitit, megjithëse duhet pritur të dhënat e tremujorit të dytë se sa do të jenë arkëtimet shtesë në buxhet nga rritja e çmimeve. Nisur nga norma e inflacionit të prillit e majit, këto të ardhura parashikohen që të shkojnë mbi 230 mln eurot e tremujorit të parë, gjithmonë nëse më parë nuk bie konsumi dhe ta zhysë ekonominë zyrtarisht në një krizë të thellë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.