Goditja e pasurive amerikane të Ylli Ndroqit si ‘alarm’ për Berishën dhe Ilir Metën

11 April 2022, 17:11Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Goditja e pasurive amerikane të Ylli Ndroqit si ‘alarm’
Sali Berisha dhe Ilir Meta

Vendimi për sekuestrimin e pronave, apo aseteve në SHBA, apo në organizata e institucione amerikane që veprojnë në Shqipëri, apo kudo gjetkë në botë si rregull është një vendim që shënjestron pasuritë e personave që Uashingtoni akuzon si të korruptuar, të lidhur me krimin e organizuar, financues të terrorizmit, apo minues të proceseve demokratike në vendet e tyre të origjinës.

Ky vendim është ekskluziv dhe i përket vetëm Departamentit të Thesarit pason gjithmonë një vendim politik, që merret nga Departamenti i Shtetit. Kjo nënkupton se për Aqif Rakipin dhe Ylli Ndroqin, dy shtetasit shqiptarë të goditur këtë të hënë ka në fuqi një vendim politik që i shpall ata ‘non grata’ nga SHBA, por që nuk është bërë publik.

Por, ka një rast tjetër ku vendimi politik ‘non grata’ është bërë publik; Sali Berisha. Në maj të vitit të kaluar Berisha u përmend publikisht nga Sekretari i Shtetit si person i padëshirueshëm në SHBA për korrupsion madhor dhe pengim të drejtësisë.

Pak javë më vonë, gjatë një turi vizitash në Ballkanin Perëndimor, zv.ndihmëssekretari i Shtetit, Gabriel Escobar tha se SHBA kishte në dorë edhe të tjera sanksione, veç non grata-s politike, duke nënkuptuar këtu edhe sekuestrimin e pasurive në SHBA, apo bankat amerikane nëpër botë për Sali Berishën dhe familjen e tij të ngushtë.

Ndërkohë, veç Sali Berishës dizenjimi i Ylli Ndroqit si non grata shton dyshimet se në rrugën e tij dhe të Sali Berishës po shkon edhe Presidenti Ilir Meta. Ky i fundit njihet për lidhjet e forta, si me Sali Berishën, ashtu edhe me Ndroqin.

Sipas Thesarit Amerikan, Ndroqi ka shfrytëzuar mediat që më parë kanë qenë nën kontrollin e tij për të zhvatur dhe shantazhuar qytetarë shqiptarë nëpërmjet kërkesave për para dhe blerjeve të reklamave në këmbim të mospublikimit të artikujve negativë në media.

Gjithashtu, Ndroqi ka ndërmjetësuar ryshfete për llogari të një subjekti që kërkonte të bënte biznes në Shqipëri.

Ndroqi përcaktohet si përgjegjës, ose bashkëpunëtor në ose për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion lidhur me Ballkanin Perëndimor, përfshi korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, apo një zyrtar aktual ose të kaluar qeverie, në çfarëdo niveli të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor, siç është përvetësimi i pronave publike, shpronësimi i pronave private për përfitime personale ose qëllime politike, apo ryshfete.

 

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video