Shënim - Për gati 60 minuta, Blendi Fevziu jo vetëm që vendosi në dispozicion të propagandës së Belinda Ballukut emisionin e vet në ‘Prime Time’, por u bë edhe vetë pjesë e kësaj propagande.
Përmes pyetjeve në dukje ‘naive’, gazetari me përvojë shmangu një mori pikëpyetjesh e dilemash që po bluajnë në kokë prej kohësh shqiptarët, kostot e koncesioneve të dhëna me firmën e Belinda Ballukut.
Emisioni u ndal të theksojë se sa minuta do të shkurtohej distanca nga Prishtina në Vlorë, Palasë, Himarë dhe gjithë bregdetin e jugut. Por, në të nuk u ngrit asnjë pyetje se me çfarë kostoje do ta paguajnë shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës këtë ‘nder’ të Ballukut.
Gazetari bëri naivin dhe nuk përmendi për asnjë moment faktin që një qytetari të Kosovës, për të shkuar nga Prishtina deri në Vlorë përmes rrugëve të reja të dhëna me koncesion nga Balluku, do t’i duhet që veç karburantit të paguajë edhe të paktën 46 euro tarifa kalimi vajtje-ardhje te privatët.
5 euro është tarifa e vendosur tashmë në Rrugën e Kombit, ndërsa për gjithë distancën nga Miloti deri në Fier do t’i duhet që të paguajë të paktën 17 euro të tjera në tre trarët e parashikuar për t’u vendosur.
Trau i parë do të vendoset nga Gener 2 në aksin Milot-Kashar, në koncesionin 400 mln eurosh, i dyti në Kashar-Lekaj dhe i treti në Lekaj Fier, në koncesionin 384 milionë euro.
Të njëjtat pyetje naive Blendi Fevziu ngriti edhe për tunelin e Murrizit, ku u bë stoli e propagandës së Belinda Ballukut, që ja la fajin sërish përbërjes gjeologjike të tokës në këtë sektor. Për të justifikuar vonesat dhe bashkë me to edhe vjedhjet galopante në këtë aks, Balluku tha se po ecet vetëm me 1.5 metër hapje tuneli në ditë, ndërsa në Llogara me 24 metra në ditë.
Qershinë mbi tortë dhe damkën e propagandës, Blendi Fevziu ja vulosi emisionit kur komentoi në një moment edhe vetë tërë ngazëllim se si të gjitha këto projekte të nisura nga qeveria (gjysma e të cilave janë ende në kokën e Ballukut) do të lidhnin shqiptarët në rajon.
U fol për projektet energjitike, ato rrugore dhe ato hekurudhore. Nuk u tha asgjë për rrezikun që Shqipëria të dalë nga harta mesdhetare e porteve tregtare prej aferave të dyshuara të korruptuara të qeverisë, që ka falur portin e Vlorës te Samir Mane dhe atë të Durrësit, te arabët...të paktën në letra.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.