Pagesat e Zotos për udhëtimet luksoze të Ahmetajt, Bardhi: SPAK dështoi me hetimet, fshehu provat

9 December 2022, 20:59Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Pagesat e Zotos për udhëtimet luksoze të Ahmetajt, Bardhi: SPAK
Arben Ahmetaj

Deputeti i PD-së Gazment Bardhi ka reaguar pas padisë që depozitoi sot në SPAK, gazetari Adriatik Doçi, ku mes dokumenteve ishin dhe e-mailet të dala nga kompjuteri i Klodian Zotos që tregonin se ky i fundit i kishte paguar udhëtimet dhe hotelet luksoze në Milano, Vjenë, Bukuresht, Arben Ahmetajt në kohën kur ishte ministër i Financave.

Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi shkruan se ato janë prova të qarta dhe të pakontestueshme korrupsioni, për të cilat SPAK duhet të veprojë menjëherë.

Ai shton më tej se nëse këto fakte kanë qenë realisht pjesë e dosjes hetimore të inceneratorit të Elbasanit, fshehja e tyre dhe mosveprimi nga ana e prokurorëve Klodian Braho dhe Eneid Nakuçi është prova më domethënëse e dështimit të SPAK me atë çështje.

Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:

Korrupsioni i Edi Ramës dhe Qeverisë së tij me aferën e inceneratorëve po qartësohet dita-ditës. Sot në media kanë rrjedhur disa dokumenta sesi banda e inceneratorëve kishte paguar me dhjetra udhëtime të ish-zëvendësit të Edi Ramës, në kohën kur ka qenë Ministër i Financave.

Mijëra euro shpenzime të përfituara nga Arben Ahmetaj dhe të padeklaruara prej tij (një vepër tjetër penale) janë prova të qarta dhe të pakontestueshme korrupsioni, për të cilat SPAK duhet të veprojë menjëherë. Nëse ato fakte kanë qenë realisht pjesë e dosjes hetimore të inceneratorit të Elbasanit, fshehja e tyre dhe mosveprimi nga ana e prokurorisë është prova më domethënëse e dështimit të SPAK me atë çështje.

Aferës së inceneratorëve duhet ‘ti shkohet deri në fund. Qeveria e Edi Ramës ka vepruar si një organizatë e mirëfilltë kriminale dhe SPAK duhet ta hetojë si të tillë.



Video