Shënim- Gazetari Adriatik Doçi ka depozituar sot në SPAK një padi ndaj prokurorëve Klodian Braho dhe Eneid Nakuçi që po hetojnë dosjen e inceneratorëve. Sipas padisë së dorëzuar nga gazetari Doçi, dy prokurorët kanë fshehur provat të cilat fajësonin ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj. Zoto kishte paguar disa hotele luksoze jashtë vendit në të cilat ka qëndruar Ahmetaj.
“Janë fshehur hetimet nga dy prokurorët e SPAK, për të mbrojtur Arben Ahmetajn. Kam kallëzuar Arben Ahmetajn për përfitimet që ka patur nga Klodian Zoto. Në kompjuterin e tij janë gjetur pagesa për ish-ministrin Ahmetaj”, deklaroi Doçi në një deklaratë për mediat pasi dorëzoi kallëzimin.
Denoncimi është një ndër skandalet më të rënda që përfshin një eksponent të lartë të qeverisë socialiste, por për ironi, asnjë nga mediat nuk e ka transmetuar këtë lajm. Madje as ato media që pretendojnë që janë opozitare, që në vend të pasqyrojnë këtë denoncim të fortë, merren ende me deklaratën e ministres së Jashtme Olta Xhaçka për largimin e ambasadores amerikane Yuri Kim nga Tirana. Përveç portalit “Syri” dhe "Hashtag", të gjitha mediat e tjera, edhe ato opozitare kanë heshtur.
Lidhur me këtë, gazetari Habjon Hasani shkruan me ironi në rrjetet sociale: “Interesante qe thuajse te gjitha mediat opozitare; edhe ato te egrat fare, kane anashkaluar sot skandalin e e-maileve te zbuluara nga Adriatik Doçi, te cilat vertetojne se Klodian Zoto i ka paguar (me karten e tij te kreditit) çiftit Ahmetaj kostot e hoteleve jashte vendit. Ne njefare menyre sot u vertetua me prove ndikimi i Ahmetajt ne narrativen e inceneratoreve dhe sigurisht doli hapur dhe motivi pse shoku Rrapi ja keputi koken te ashtuqujturit "tigri"”.
Mund të shtojmë se mediat që pretendojnë se janë opozitare që merren me denoncimet e koncesioneve në jug, ndërtimet dhe me ambasadoren Yuri Kim o janë të kapur dhe miq të Arben Ahmetaj, ose janë thjesht media “opozitare gjobëvënëse” dhe që bëjnë opozitë vetëm kur preken interesat e sponsorizuesve të tyre./VoxNews