Shënim: Për të dytën herë në më pak se një vit, Edi Rama vuri në rresht 61 kryebashkiakët e vet duke i ‘telendisur’ para kamerave. Ca i bëri shembull për të keq për performancën financiare, të tjerë i ngriti në piedestal po për të njëjtën gjë.
Mënyra se si u zgjodhën, pa garë, pa kundërshtarë, pa djersë i bën gati-gati qesharake këto thirrje e fletërrufe të Kryeministrit për të zgjedhurit vendorë, sepse fundja fare ata nuk janë produkt i votës popullore, por i vetë Ramës.
Prandaj, përgjegjësia për keqmenaxhimin e financave vendore në këtë rast ndahet më dysh. Gjysmën e peshës së saj e kanë kryebashkiakët dhe gjysmën tjetër Edi Rama që i vendosi.
Rama ka përgjegjësi se mbi ç’kritere i vendosi në krye të bashkive, sa të aftë janë ata? Rama duhej t’u shpjegonte qytetarëve se cilat ishin aftësitë e Agim Kajmakut për t’u zgjedhur në krye të Vorës?
Për këtë arsye, thirrja dhe ‘telendisja’ para kamerave më shumë se sa spektakli i radhës nuk mund të shkojë. Këtu nuk vlen as udhëzimi nga lart për ‘të qenë inovatorë’ dhe të fusin bashkitë që drejtojnë në aktivitete ekonomike me privatët deri diku duke sjellë si model politikat e qeverisë qendrore si modele suksesi.
Por, a janë modele suksesi statuset e investitorëve strategjikë të dhënë nëpër pronat shtetërore? Po koncesionet e majme, si ajo e rrugës Thumanë-Kashar e të tjera e të tjera si këto? Vështirë se mund të gjesh qytetar që të mendojë kështu.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.