Shashka e SPAK me burgosje gazetarësh

16 June 2022, 18:28Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Shashka e SPAK me burgosje gazetarësh
Kreu i SPAK, Arben Kraja

Shënim: ‘Sekreti e sekreti shtetëror’ është përdorur prej dekadash në Shqipëri për të shmangur transparencën, llogaridhënien, fshehur keqqeverisjen e deri për të mbrojtur pushtetarë nga publikimi i dosjeve të krimeve gjatë komunizmit.

Por, të përdoret i njëjti term nga strukturat e reja të drejtësisë, e sidomos nga SPAK-u askush nuk e priste. Kjo është ajo që ka ndodhur. SPAK urdhëroi e kërcënoi me burg një gazetar nëse do të vijonte të publikonte informacione nga dosja e dëshmisë së bujshme të Nuredin Dumanit.

Në këtë rast, SPAK ka cituar pikën e parë të nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale, që thotë:

“Ndalohet publikimi, qoftë edhe i pjesshëm, i akteve sekrete që lidhen me çështjen ose dhe vetëm i përmbajtjes së tyre nëpërmjet shtypit, ose informacionit masiv”.

Parashikimet e këtij neni zbatohen për aq kohë sa nuk bien ndesh me Kushtetutën dhe konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe për të drejtat e informimit, të cilat Shqipëria ka ratifikuar. Pa shkuar shumë larg te këto Konventa, citojmë vetëm pikën e parë të nenin 23 të Kushtetutës, që thotë se e drejta për informim është e garantuar.

Në hierarkinë e ligjeve të vendit, Kushtetuta është e para dhe në të njëjtin nivel me të konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara në Kuvend. Megjithatë, SPAK mes Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale, një ligj organik, ka zgjedhur t’i referohet këtij të dyti.

Arsyeja? Sekreti shtetëror. Klasifikimi si sekret i kësaj dosjeje nga ana e SPAK tingëllon abuziv, sepse ligji për klasifikimin e materialeve sekret shtetëror thotë:

Informacioni do t’i nënshtrohet procesit të klasifikimit kur lidhet me:
a) plane ushtarake, armatime ose operacione;
b) aftësi, apo dobësi, kapacitete të sistemeve, instalimeve, projekteve dhe planeve që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare;
c) veprimtari të shërbimeve informative, me forma dhe metoda të punës, me kriptologji në objektet e mjetet teknike, në vendet ku përpunohet dhe arkivat ku ruhet informacioni;
ç) informacione të qeverive të huaja, marrëdhënie
ndërkombëtare ose me veprimtari ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë, si dhe me burime konfindenciale;
d) çështje shkencore, teknologjike dhe ekonomike që kanë
lidhje me sigurinë kombëtare.

Sigurisht, sekreti zbatohet edhe kur bëhet fjalë për dosje në hetim dhe kaq të ndjeshme sa dëshmia e Nuredin Dumanit, “vrasës dhe sipërmarrës vrasjesh me pagesë”. Por, në këtë rast sekretin duhet ta ruajë vetë SPAK-u, sepse nëse dosja bie në duart e një gazetari atëherë nëse ai do të zgjidhte të mos e bënte publike do të shkelte mbi parimet dhe betimin për t’i shërbyer transparencës për publikun.

Pra, më shumë se ligjore në këtë rast është në vetëdijën e gazetarit që të zgjedhë ta bëjë publike, apo jo këtë dosje. Ta detyrosh duke i përmendur nene ligjesh, kur nuk bëhet fjalë për hetime që cenojnë sigurinë kombëtare, është në kufijtë e antikushtetueshmërisë.

Gazetari, në rast se nuk ka thyer bravën e derës së institucionit dhe ka vjedhur prej andej dosjen, në të gjitha rastet e tjera është në të drejtën e tij që të publikojë çdo informacion, apo dëshmi nëse gjithmonë ajo është e vërtetë.

Publikimi i shërben transaprencës së publikut, por dhe monitorimit se si po e bëjnë punën autoritetet shtetërore që paguhen me taksat tona, përfshirë këtu edhe SPAK-un e rrogave të majme në krahasim me të tjerët.

Urdhri i tre prokurorëve të SPAK ka shkaktuar zemëratë në komunitetin e gazetarëve, por më shumë se urdhër, ai është ‘intimidim’ për gazetarët që të ndalojnë publikimet për këtë dosje, sepse nëse nesër përfundon në gjykatë, nuk ka asnjë gjyqtar që të dënonte gazetarin se pse publikoi dëshminë e një bashkëpunëtori të drejtësisë, apo jo, përsa kohë gazetari vetë nuk e ka vjedhur këtë dëshmi.

Nëse ndiqet logjika e SPAK me këtë urdhër, pse në raste të ngjashme me hetime të bujshme janë lejuar mediat që të publikojnë dëshmi të penduarish, siç ëshhtë rasti i dëshmisë për vrasjen e Vajdin Lames? Edhe aty kishte rrezik. Por dhe çështjet e tjera që para se të shkonin në gjykatë përfundonin në media, siç janë inceneratorët, procesi ndaj ish-drejtorit të RTSH, dosjet e kokainës që janë kapur me dhjetra, procesi ndaj Saimir Tahirit e të tjera e të tjera.

Nëse prokurori, apo prokurorët nuk mbajnë dot ne sirtar sekretin e një dëshmie, bëjnë mirë të japin dorëheqjen e të bëjnë një punë tjetër dhe jo t’u kërkojnë gazetarëve që të ruajnë sekretin që s’e ruajtën dot vetë, sepse është njësoj si t’i kërkosh ujkut që të të ruajë delet.

Media ka të drejtën e vet dhe do e ketë gjithmonë që të jetë përçuese e informacionit. Po i kushtojmë këtë shënim, jo se kemi frikë nga SPAK, apo shefat e kreu i SPAK, por sepse duam të qetësojnë kolegët, të cilët punojnë në kushte tejet të vështira.

Në fund, ngremë një pyetje për SPAK, a keni nxjerrë enkas informacione në media për qëllimet tuaja? Nuk po akuzojmë se rrisni pazarin, por e sigurt është që ju ndihmon në hetime, pasi me publikimin e një informacioni ju monitoroni se kush shqetësohet dhe kush bën lëvizje të dyshmta.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video