Në CV-në e Arben Krajës, kreut të SPAK, veç pozicionit si vartës i Ilir Metës kur drejtonte njësinë antikorrupsion në Qeveri dhe Meta ishte Kryeministër shtohet edhe një pasion i përbashkët i Presidentit në largim me kreun e Prokurorisë së Posaçme, gjithashtu në largim.
Kraja ka udhëtuar në vendlindjen e Ilir Metës, ku ka zbuluar të njëjtin pasion me Presidentin; rafting në kanionet e Osumit.
Që të dy e kanë nga një foto të ngjashme me veshjet mbrojtëse, por duke qenë se Ilir Meta e ka provuar më shpejt e shpesh këtë sport, ndoshta mund t’i japë ndonjë leksion të vyer kreut të Prokurorisë së Posaçme.
Gjithsesi, Meta vizitonte Osumin bashkë me Ambasadorin e SHBA në atë kohë, Alexander Arvizu, duke e shndërruar në trend këtë sport. Sot, kanionet nuk janë aq popullore sa dikur, por Arben Kraja ndoshta dha kontributin e tij modest për t’u rikthyer popullaritetin.
Sot, vetë Kraja është ‘popullor’, por nga marsi 2001-it deri në maj të 2002-it, kur ka punuar si drejtues i Njësisë Antikorrupsion pranë Ilir Metës, popullariteti i mungonte. Meta ka qenë Kryeministër nga nëntori i 1999-s deri në shkurt të 2002-it.
Pra, tre muaj pasi Ilir Meta iku nga posti i Kryeministrit, Kraja largohet nga pozicioni i drejtuesit të Njësisë Antikorrupsion. Pozicioni i Krajës kategorizohet si nëpunës civil, pra post apolitik, prandaj arsye e largimit të tij fill pas largimit të Ilir Metës ngre dyshime se në këtë post ai është vendosur dhe mbajtur me bekimin e Metës.
Në CV-në e tij, Kraja thotë se gjatë këtyre muajve në detyrë ka hartuar strategjinë e parë antikorrupsion të qeverisë. Se sa e suksesshme ishte kjo strategji kjo ha debat, për faktin se qeverisjet e Ilir Metës dhe më pas e Fatos Nanos janë akuzuar si ndër më të korruptuarat në vend.
Kompetencat e drejtorit të Njësisë Antikorrupsioni pranë Kryeministrit përfshijnë koordinimin e të gjitha institucioneve të varësisë së Qeverisë dhe informimin periodik të Kryeministrit mbi politikat, planet dhe vendimet që lidhen me luftën kundër korrupsionit.
Kjo do të thotë se gjatë kësaj periudhe, Arben Kraja ka raportuar te Ilir Meta për luftën kundër korrupsionit.
Se sa i afërt është drejtori i Njësisë Antikorrupsion me Kryeministrin, emrat që ka qarkulluar Edi Rama pas 2013-s në këtë post janë të besuarit e tij. Pyetja është nëse Arben Kraja ka qenë i besuar i Ilir Metës? A vazhdon të mbetet i besuari i tij? Nëse po, atëherë kjo minon të gjithë punën e SPAK dhe të gjithë reformën në drejtësi.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.