Agim Kajmaku u arrestua bashkë me nipin, si i ndryshuan vazot e luleve për të futur kokainën

12 June 2022, 08:20Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Agim Kajmaku u arrestua bashkë me nipin, si i ndryshuan vazot e luleve
Agim Kajmaku

Përveç ish-kryebashkiakut socialist të Vorës, Agim Kajmaku, mësohet se për kapjen e 20 kg kokainë në në zonën e San Benedetto del Tronto në Itali është arrestuar dhe nipi i tij. Dajë e nip, njëri banues në Itali dhe tjetri në Shqipëri akuzohen për trafikimin e lëndëve narkotike.

Mediat italiane raportojnë se të arrestuar gjithsej janë 4 persona, dy të tjerë të punësuar nga Kajmaku dhe nipi i tij. Droga ishte fshehur brenda disa vazo lulesh që kishte blerë Kajmaku, klient prej kohësh në një fidanishte të njohur nga Grottamare.

Dajë e nip kishin blerë bimët e vogla në fidanishte dhe më pas vendosën që të bënin ndryshim dhe t’i vendosnin ato në vazo më të mëdha, të cilat i kishin blerë në një biznes lokal.

Kjo lëvizje e çuditshme u vu re nga pronari i fidanishtes, i cili njoftoi menjëherë karabinierët, që organizuan operacionin dhe vunë në pranga Agim Kajmkun, nipin e tij dhe dy persona të tjerë.

Sipas mediave vendase, kokaina e kapur nëse do të hidhej në treg kapte një vlerë rreth 1 milionë euro. Karabinierët kontrolluan shtëpitë e tyre në Ascoli por nuk gjetën asnjë gjurmë droge.

Vlen të theksohet fakti se Agim Kajmaku, para se të bëhej kryebashkiak i Vorës, merrej me biznesin e fidanëve, farërave dhe plehrave, me firmën e tij që merrej me “prodhim, shitje, tregim shumë e pakicë farash, fidanëve, pemëve frutore e dekorative, etj., punim i sipërfaqeve të gjelbërta, parqe, dekore urbane…”.

Agim Kajmaku humbi mandatin pak muaj pasi ishte zgjedhur si kryebashkiak në vitin 2019, për shkak të ligjit të dekriminalizimit.

 


Video