U arrestua për trafik droge, këshilltari është vartës i zëvendësministres së Brendshme

16 June 2022, 17:26Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
U arrestua për trafik droge, këshilltari është vartës i
Romina Kuko, zëvendësministre e Brendshme dhe Kryetare e Keshillit Bashkiak te Tiranes

Policia njoftoi këtë të mërkurë se një prej të arrestuarve për kapjen e një sasie prej 45.5 kilogramësh heroinë ishte Egert Vargu, agjent doganor, por dhe Këshilltar në Këshillin Bashkiak të Tiranës.

Të gjithë u morën me sasinë e drogës së kapur, faktin që ishte këshilltar bashkiak, por shumë pak, ose aspak nuk u përmend fakti tjetër edhe më i rëndësishëm, se Vargu është një i zgjedhur socialist dhe tashmë lista është bërë e gjatë që përfaqësues të kësaj partie po kapen si trafikantë.

Por, ironia qëndron se drejtuesja e këtij këshilltari, është as më pak e as më shumë, por zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko. Kjo e fundit drejton Këshillin Bashkiak prej tre vjetësh.

Ajo nuk ka rënë në sy në këtë pozicion pasi në mungesë të opozitës vendimet kalojnë pa shumë debat dhe shpesh nuk transmetohen as nga mediat.

Zonja Kuko, sigurisht që nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore se një anëtar i këshillit bashkiak është trafikant, por ka patjetër detyrim moral si zëvendësministre që nuk ka informacion paraprak që një nga anëtarët i Këshillit që ajo drejton është i përfshirë në trafik ndërkombëtar droge.

Përgjegjësia e saj ligjore vjen pas operacionit. Deri në orën 16:00 të së enjtes, Këshilli Bashkiak nuk ka pasur asnjë reagim në lidhje me këtë skandal dhe as nuk ka ndërmarrë asnjë vendim për largimin e një anëtari që është i arrestuar tashmë.

Mungesa e opozitës ia ka bërë të lehtë punën zonjës Kuko, por ngjarje të tilla kërkojnë të jesh në lartësinë e detyrës dhe të ndërmarrësh masa të shpejta e efikase dhe sa më shumë vonohen këto masa, aq më i kontestuar bëhet pozicioni i Kukos në krye të Këshillit Bashkiak.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video