Ministria e Brendshme, Ministria e telasheve të Edi Ramës

17 June 2022, 17:08Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ministria e Brendshme, Ministria e telasheve të Edi Ramës
Ministri i Brendshem, Bledi Cuci

Vështirë të gjesh ndonjë institucion vartës që e ka vënë më shumë në siklet qeverisjen e Edi Ramës se sa Ministria e Brendshme dhe titullarët e saj.

Njëri pas tjetrit ministrat ose janë dënuar vetë, ose kanë familjarët e tyre janë dënuar e akuzuar si të lidhur më e pakta në aktivitete kriminale dhe në rastin më të keq të përfshirë në grup të organizuar kriminal.

Saimir Tahiri, që u quajt edhe ministri kampion dhe që është edhe më jetëgjati në këtë post në tre dekada demokraci, është në burg i dënuar për shpërdorim detyre, ndërsa akuzat e ngritura ndaj tij ishin shumë herë më të rënda. Ai u akuzua si pjesë e grupit të Habilajve në trafikun e hashashit drejt Italisë.

Fatmir Xhafajt i shpërtheu në zyrë lajmi se i vëllai rezultonte i dënuar në Itali po për trafik, ndërsa më vonë doli edhe seria e përgjimeve të njohura si “Babalja”.

Tani është radha e Bledi Çuçit, të cilit sipas një dokumenti të publikuar nga Partia Demokratike dhe Sali Berisha ka nën hetim në Itali djalin, Endi Çuçi si pjesë e grupit të kontrabanduesve të ilaçeve në Itali.

Nëse provohet i vërtetë ky informacion, Ministria e Brendshme do të jetë një tjetër çarje koke për Kryeministrin.

Por, deri kur të provohet, Edi Rama bën mirë që të mendojë emrin e ministrit të ri me shpresën që edhe ai, ose familjarët e tij nuk do të jenë të përfshirë e të lidhur me anën tjetër të rendit dhe ligjit, që supozohet se mbrojnë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

 


Video