Basha i kapur nga oligarkët, vetëfilmohet nga një pikë ‘fakire’ karburantesh

6 March 2022, 16:39Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Basha i kapur nga oligarkët, vetëfilmohet nga një pikë
Lulzim Basha gjatë video-mesazhit drejtuar Qeverisë që të heqë taksat mbi naftën për të ulur cmimin e saj

Pasditen e së shtunës Lulzim Basha u shfaq pranë një pike karburanti për t’u vetëfilmuar e përçuar për një mesazh solidarizimi me shqetësimin më të madh (ndoshta pas luftës në Ukrainë) të qytetarëve shqiptarë sot; çmimin e naftës.

Në video-mesazhin e tij, Basha i bën thirrje Qeverisë që të ulë taksat që vendos për litër nafte, sidomos atë që e quan taksa “Rama”, që është rreth 24 lek.

“I bëj një thirrje të përsëritur qeverisë të marrë masa duke hequr taksën e qarkullimit Rama mbi karburantin, 240 lekë për litër dhe duke marrë masa të tjera shtesë për të stabilizuar në këto ditë të vështira çmimin e karburantit i cili ka një efekt të drejtpërdrejtë në mallrat dhe shërbimet bazë për të gjithë qytetarët”, deklaroi Basha.

Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Si kryetar i opozitës, siç pretendon se është, detyra e tij është që të ngrejë shqetësimet e qytetarëve në qeverinë që shpesh e akuzon se është e kapur nga oligarkët.

Por, vendi i zgjedhur nga Basha për t’u vetëfilmuar lë hije dyshimi se edhe vetë kreu i PD-së është i kapur nga oligarkët. Nga veri në jug të Shqipërisë dihet se kush i ka e zotëron pikat më të shumta të karburanteve. Ato janë kompanitë Kastrati dhe Gega, që të dyja të akuzuara për oligopol në këtë treg.

Aq të përhapura janë pikat e tyre të shitjes me pakicë të karburanteve, sa për të gjetur një pikë që nuk kontrollohet dhe nuk ka logot e ngjyrat tyre duhet të udhëtosh me kilometra të tëra dhe të kesh edhe fat.

‘Fati’ duket se ka qenë me Lulzim Bashën gjatë filmimit të video-mesazhit. Ai e ka gjetur një pikë anonime të shitjes me pakicë të karburanteve dhe prej andej fajësoi qeverinë, e bashkë me qeverinë tërthorazi edhe pikën anonime të karburantit që po ‘rrjep’ shqiptarët.

Kastrati e Gega, sipas mesazhit të nënkuptuar të përcjellë nga kreu i PD-së nuk kanë asnjë përgjegjësi për rritjen e çmimit, pavarësisht se të dy bashkë kontrollojnë mbi 70 për qind të tregut të karburanteve në vend.

 

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video