Kishte rënë në sy që Sali Berisha kishte shkuar disa herë në Dibër që prej shpalljes së datës së zgjedhjeve, ndërsa Lulzim Basha asnjë herë.
Por të vetët (Xhelal Mziu&Co), sidoqoftë, duket se kanë punuar, pasi në takimin e vetëm që Basha ka planifikuar atje, pati një organizim eficent.
Numri i njerëzve nuk ishte kushedi se çfarë i madh, jo më shumë se 250 vetë, por organizimi ishte spektakolar.
Basha ka hyrë në mënyrë triumfale në Dibër, me krerët e PD-së lokale atje në të majtë e në të djathtë, duke pushtuar të gjithë gjerësinë e rrugës kryesore të qytetit.
Ai kishte veshur një fanellë golf, një kostum gri që e vishte për herë të parë, dhe një pallto të zezë që i mbërrinte deri sipër gjunjëve.
Sipas sondazheve serioze gara si për Dibrën ashtu dhe për pesë bashkitë e tjera bëhet për të zënë vendin e dytë, pasi socialistët duken në avantazh në këto zgjedhje për shkak të përçarjes së PD-së-raporton Vox News.
Këto janë zgjedhjet e para në historinë e pluralizmit në Shqipëri që gara më e fortë është për vendin e dytë dhe të tretë.
Basha e ka sfidë të rëndësishme, pasi nëse do të dilte i treti do të duhej të largohej nga partia, ndërsa Berisha nëse del i treti i jep fund shpresave të një rimëkëmbje pas marrjes ‘non grata’ nga amerikanët.