Imazhi formal i drejtësisë së re, prokurorëve u ndalohet alkooli dhe ‘lokalet e papërshtatshme’

2 March 2022, 19:04Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Imazhi formal i drejtësisë së re, prokurorëve u ndalohet

Përpjekjet për përmirësimin e imazhit të drejtësisë nga organet e reja të sistemit nuk lidhen vetëm me përmbajtjen e vendimeve, por edhe me paraqitjen dhe anën formale të paraqitjes e sjelljes së prokurorëve e gjyqtarëve.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar rregulloren për standardet e etikës dhe sjelljes së prokurorit, ku normat nuk përfshijnë detyrimin vetëm gjatë orarit të punës, por edhe në jetën private.

Rregullorja thotë se prokurori nuk duhet të përdorë statusin e tij si prokuror në jetën e tij private. Ai nuk duhet të krijojë përshtypje që do të ushtrojë pushtet mbi palët e treta, apo t’i bëjë ata që të mendojnë se prokurori, edhe në nivel personal dhe privat, ka të drejtë të ushtrojë pushtetet që ia atribuon ligji gjatë veprimtarisë së tij.

Pika tjetër e ndalon prokurorin që të frekuentojë ambiente publike, të cilat dëmtojnë imazhin e tij dhe për rrjedhojë edhe imazhin e sistemit të drejtësisë, ndërsa i ndalohet edhe alkooli, brenda dhe jashtë orarit të punës.

“Nuk duhet të frekuentojnë ambiente apo lokale, të cilat dëmtojnë imazhin e tij si prokuror. Prokurori nuk konsumon pije alkoolike gjatë ushtrimit të funksionit, ndërsa jashtë ushtrimit të funksionit nuk konsumon pije alkoolike në atë masën që mund ndikojë sjelljen e tij dhe që bien ndesh me dinjitetin e funksionit e prokurorit”, thuhet në rregullore.

Sa u takon drejtuesve të prokurorive, kodi i sjelljes i ngarkon ata edhe me mbrojtjen e imazhit të drejtësisë, brenda dhe jashtë orarit të punës.

“Gjatë ushtrimit të funksionit drejtues, në marrëdhënie me të tretët duhet të mbrojë imazhin e drejtësisë, të tregojë seriozitetin dhe dinjitetin që publiku pret nga sistemi i prokurorisë”, thotë rregullorja.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video