Në vitin 2010, ministrja greke e Turizmit, Angela Gerekou i dorëzoi dorëheqjen kryeministrit të asaj kohe, Jorgos Papandreu pasi u zbulua se bashkëshorti i saj këngëtar u ishte shmangur taksave dhe detyrimeve të tjera tatimore në një kohë kur të gjithë grekët po shtrëngonin rripin e shpenzimeve.
Në 2019-n, ministri francez i Mjedisit, François de Rugy u dorëhoq pas publikimit në media të një investigimi që tregonte jetën luksoze të tij dhe bashkëshortes së tij. Investigimi nxorri në pah se si bashkëshortja e tij ishte favorizuar në disa biznese dhe afera të tjera ku në mes ishin fondet dhe pasuritë publike të francezëve, si dhe shpenzime të fryera nga fondet e ministrisë për udhëtime e pushime personale të çiftit.
Në 2017-n, Kryeministri John Key u dorëhoq pas tetë vitesh në pushtet. Ndryshe nga dy shembujt e mësipërm, dorëheqja e tij u mësua më vonë se kishte ardhur si presion nga bashkëshortja, që argumentonte se detyra e tij si Kryeministër i vendit po vendoste në vëmendje dhe ekspozim të tepruar publik dy fëmijët e tyre.
Pse i sollëm këta shembuj? Voxnews.al dhe mediat e tjera kanë denoncuar këtë të enjte një vendim, ku i gjithë kabineti qeveritar është mbledhur për t’i dhënë statusin e investitorit publike dhe për 30 vite në përdorim një prej plazheve më të lakmuara publike në jug të vendit, Artan Gaçit, bashkëshortit të ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.
Krahasimi është i thjeshtë. Në Greqi, ministrja e dorëhequr tha se nuk ishte në dijeni të evazionit fiskal të bashkëshortit të saj këngëtar dhe sapo e mësoi këtë u largua nga Qeveria. Në Francë, ministri u dorëhoq, pavarësisht se investigimin mediatik e cilësoi si “fushatë linçimi personale ndaj tij”.
Rasti i Kryeministrit të Zelandës së Re është i një natyre tjetër, që e sollëm për të treguar se dorëheqja nga një post publik është një akt thelbësisht personal, që buron nga besimi, apo vetëdijësimi i brendshëm për t’u larguar. Arsyet që mund të çojnë deri në dorëheqje janë të ndryshme.
Por, a është i mjaftueshëm rasti i Artan Gaçit për dorëheqjen e Olta Xhaçkës? Nëse do t’u referohemi dy rasteve që na vijnë nga Greqia dhe Franca, po. Megjithatë, në Shqipëri institucioni ‘dorëheqjes morale’ nuk ka ekzistuar në këto 30-vite.
Si shembull, Fatos Nano u dorëhoq dhe rikthye disa herë gjatë qeverisjes së socialistëve nga 1997 deri në 2005. Por, dorëheqjet e tij ishin më shumë taktika politike, se sa largim i vullnetshëm.
Në 2005, dorëheqja nga PS u detyrua nga humbja e zgjedhjeve, ashtu siç u kushtëzua dorëheqja e Ilir Metës në 2011 pas akuzave për korrupsion dhe video-skandalit me të ndjerin Dritan Prifti. Dorëheqje të detyruar bëri edhe Berisha në 2013-n, kur PD humbi thellë në zgjedhje.
Në të gjitha rastet, në Shqipëri nuk ka pasur asnjë dorëheqje që të burojë nga pesha e përgjegjësisë morale të titullarëve. Askush nuk u dorëhoq kur shpërtheu skandali i DH Albania në Unazën e Re, po ashtu askush nuk u dorëhoq te skandali i publikimit të pagave dhe të dhënave personale të 700 mijë shqiptarëve, rasti më i freskët...prandaj ndoshta askush nuk pret edhe dorëheqjen e ministres së Jashtme.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.