Avokati i njohur: Prokurorët Braho e Nakuçi hetuan vetëm për llogari të LSI-së

15 December 2022, 19:07Fokus SHKRUAR NGA ENDRIT HABILAJ
Avokati i njohur: Prokurorët Braho e Nakuçi hetuan vetëm
Klodian Braho, Ened Nakuçi dhe Saimir Visha

Bindja se dy prokurorët e SPAK-ut, Ened Nakuçi dhe Klodian Braho nuk janë thelluar në hetimin e dosjes së inceneratorit të Elbasanit, por janë mjaftuar me ‘provat’ që u ka dorëzuar Lëvizja Socialiste për Integrim përforcohet nga rrëfimi i njërit prej protagonistëve në çështjen gjyqësore.

Avokati mbrojtës i ish-financieres, që mbahet në arrest shtëpie, Saimir Vishaj tregon se klientja e tij nuk është marrë në pyetje si dëshmitare, por direkt si e pandehur, duke përforcuar dyshimet se dy prokurorët në fjalë kanë nxjerrë urdhër-arrestet dhe listën me të pandehur siç ja ka dorëzuar LSI.

E LSI-së, dosja dyshohet fort se i është dorëzuar nga Arben Ahmetaj. Ky i fundit e la jashtë emrin e vet nga ky denoncim, LSI i ktheu nderin, jo vetëm duke mos e përmendur në daljet publike, por edhe duke e marrë në mbrojtje nga hetimi.

Në këtë mes duhej të kishin ndërhyrë dy prokurorët, Ened Nakuçi dhe Klodian Braho. Si? Së pari duke u thelluar në hetime, duke marrë në pyetje jo vetëm personat e dorëzuar në dosjen e LSI-së, por edhe të tjerët, sepse është alogjik fakti që Arben Ahmetaj merret në pyetje nga komisioni hetimor parlamentar i ngritur nga Kuvendi dhe jo nga prokurorët.

Është turp e dështim i prokurorëve, të cilët nuk e gjetën dot atë që u zbulua nga një kallëzim i Adriatik Doçit. Mjaftonte që prokurorët të vinin përballë faturat e denoncuara nga Doçi, të cilat i kanë pasur aty, me deklaratat e Arben Ahmetajt para Komisionit Hetimor, kur betohej se nuk e njihte Klodian Zoton.

Por, përgjatë të gjithë hetimit ka munguar roli aktiv i prokurorëve dhe nuk është përfshirë pothuajse fare Byroja Kombëtare e Hetimit, që është konceptuar si krahu i djathtë i Prokurorisë së Posaçme në hetime voluminoze. E thënë më thjesht, në këtë dosje, dy prokurorët kanë vepruar më shumë si sekserë të LSI-së, duke përcjellë në gjykatë emrat dhe akuzat e ngritura prej saj.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video