Largimi me turp i Arben Krajës, si shërbëtor i Ilir Metës

14 December 2022, 18:07Fokus SHKRUAR NGA ENDRIT HABILAJ
Largimi me turp i Arben Krajës, si shërbëtor i Ilir Metës
Arben Kraja dhe Ilir Meta - Fotomontazh

Shënim: Arben Kraja mbyll zyrtarisht mandatin të hënën e 18 dhjetorit. Në kaq pak ditë sa i kanë mbetur në krye të SPAK-ut, konceptuar si struktura që do të trembte të mëdhenj e të vegjël nga reforma në drejtësi, nuk i mjaftojnë që të lërë më shumë gjurmë.

Por, cili është bilanci i deritanishëm i Arben Krajës? Çfarë trashëgimie do t’i lerë njërit mes Altin Dumanit, Adnan Xholit dhe Edvin Kondillit? Çfarë trashëgimie do t’u lërë qytetarëve, që besuan qorrazi te drejtësia dhe struktura e re dhe mbi të gjitha për çfarë do të mbahet mend Arben Kraja, përveçse si drejtuesi i parë i SPAK-ut?

Për këtë duhet të kthejmë kokën tre vite pas në kohë, kur Arben Kraja zgjidhej në krye të kësaj strukture në një proces që nuk kaloi pa kritika. Përballë Krajës në dhjetor të 2019-s, kohë kur SPAK ngrihej mbi themelet e Krimeve të Rënda, kandidatët ishin Altin Dumani dhe Edvin Kondilli, që rikthehen këtë herë sërish në garë për të realizuar ambicien e tre viteve më parë.

Nga intervistat para anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, platformat dhe nga jetëshkrimet e dorëzuara, Arben Kraja nuk spikaste mbi të tjerët, për të mos thënë se ‘ceni’ si hetues në kohën e regjimit komunist nga viti 1987 deri në vitin 1992 e penalizonte.

Por, KLP ja besoi me gjashtë vota drejtimin e SPAK-ut përballë kandidatëve Altin Dumani dhe Edvin Kondilli. Arsyetimi i KLP-së ishte se Kraja kishte aftësinë dhe përvojën mbi të tjerët në organizimin e strukturave hetimore të ngjashme në të kaluarën, nisur nga posti që kishte mbajtur te Prokuroria e Përgjithshme. 

Pyetja që ngrihet është se si e shfrytëzoi Arben Kraja këtë aftësi dhe përvojë në drejtimin e SPAK-ut. Së pari, arrestoi Fatos Tushen se i dha djalit të Bashkim Finos 80 litra naftë dhe i tha një fshatari ndërtoje shtëpinë pa leje.

Arrestoi edhe Rovena Vodën sepse persona të tretë u kapën duke folur në përgjime që do t’i jepnim ish-zv.ministres një arkë me peshk dhe 1 mijë euro.

Arrestoi dhe dënoi Thoma Gëllccin, pse shtyu afatin e kontratës së një tenderi, por pa e provuar korrupsionin. Këto janë ‘bëmat’ e SPAK-ut të Arben Krajës, që gjeti qimen në kashtë në këto tre raste, por nuk pa traun para hundës me provat që tregonin lidhjen e Arben Ahmetajt me inceneratorin e Elbasanit.

Nën drejtimin e tij, struktura në mos ka dështuar, të paktën ka shfaqur simptomat e drejtësisë së vjetër përmes zvarritjeve të proceseve dhe denoncimeve të bujshme, apo përmes selektivitetit në grumbullimin e provave, siç në rastin e Arben Ahmetajt për inceneratorin e Elbasanit.

Ligji për funksionimin e SPAK vërtet ja ndalon Arben Krajës që të ndërhyjë te dosjet e prokurorëve të posaçëm, por në rastin e Arben Ahmetajt si drejtues i strukturës dhe duke qenë se bëhej fjalë për një dosje kaq të ndjeshme, ai me siguri është vënë në dijeni të veprimeve proceduriale të dy prokurorëve Klodian Braho dhe Ened Nakuçi.

Si reagoi? Heshtja. I vetmi reagim i tij është njoftimi standard procedurial ku thotë se do të hidhet një short për të vlerësuar kallëzimin e gazetarit Adriatik Doçi në lidhje me akuzën e ngritur ndaj dy prokurorëve Braho e Nakuçi për fshehje provash. Kaq.

Ai shmang përgjegjësinë që i jep ligji, që si drejtues i Prokurorisë së Posaçme i njeh të drejtën për të shpërndarë dosjet te prokurorët që ka në varësi në bazë të specializimit të tyre. Kjo do të thotë se Arben Kraja ka caktuar dy prokurorët Ened Nakuçi dhe Klodian Braho për hetimin e inceneratorit të Elbasanit dhe nëse jo drejtpërdrejt, tërthorazi ndan bashkë me ta edhe përgjegjësinë morale (jo fajësinë ligjore) për zbatimin e dy standardeve në hetime dhe fshehjen e provave.

Ky është bilanci më i freskët negative në aventurën trevjeçare të Arben Krajës në krye të SPAK-ut. Të tjera dështime lidhen me dosje të bujshme, që nga Gërdeci, 21 Janari, afera CEZ-DIA, lobimi i Metës në Uashington, apo dosja e ish-kompleksit Partizani. 

E përbashkëta e këtyre dosjeve është që përfshijnë Sali Berishën dhe Ilir Metën. Çfarë ka bërë SPAK në lidhje me këto dosje, që flenë në sirtar prej muajsh? Askush nuk e di, përveç deklaratave standarde mediatike të Arben Krajës, ku thotë se ‘po i heton’.

Por, çfarë e pengon kreun e SPAK që të shtyjë përpara këto dosje të bujshme? A është e shkuara si ish-drejtues i njësisë antikorrupsion në qeverinë e drejtuar nga Ilir Meta në fillim të viteve 2000? Apo është e shkuara si hetues i komunizmit, që gjatë muajve të verës Ilir Meta ja rikujtoi përmes Silva Cakës?

Për këto do të mbahet mend më shumë Arben Krajas, se sa për arritjet. Trashëgimia e tij është shpërdorimi i miliona eurove të taksapaguesve shqiptarë dhe atyre ndërkombëtarë dhe bashkë me to edhe shpërdorimi i besimit që mori prej tyre tre vite më parë.

Prandaj, nëse sot numri i shqiptarëve që po humbasin besimin te drejtësia e re rritet vazhdimisht, një prej arsyeve kryesore është dështimi spektakolar i SPAK-ut nën drejtimin e Arben Krajës.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video