Partia Socialiste ka nisur punimet e kongresit këtë të shtunë, i cili është programuar ndryshe. Punimet e kongresit kanë nisur rreth orës 09:30 përgjatë Bulevardit e ndarë në dy sheshe, ku janë vendosur 5 panele, teksa ministra deputetë dhe grupe interesi do të diskutojnë për energjinë, politikën e jashtme dhe çështje të tjera.
Kjo pjesë e planifikuar për ndërveprim më qytetarë, zgjatë 2 orë për t’u zhvendosur më pas në këto ambiente te Pallati i Kongreseve, për tu fokusuar tek punët e partisë. Ky Kongres rikthen Ditmir Bushatin, që i zbriti trenit socialist dhe u la jashtë listave për 25 prillin. Ish-ministri është përqendruar tek rinia, vizioni për zhvillimin e kapaciteteve në PS. Fjalimet përmbyllen nga kryeministri Edi Rama.
Ajo që bie në sy nga axhenda e kongresit të Partisë Socialiste është mungesa e zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili nuk ndodhet i pranishëm dhe nuk i është dhënë minutazh për të folur.
Ky "injorim" ndaj zv/kryeministrit duket si një sinjal se Rama do ta shkarkojë Ahmetaj dhe burime nga PS thanë se mund të kemi një rikthim të Ditmir Bushatit si numri dy i qeverisë Rama 3. Kujtojmë se VOXNews pati paralajmëruar disa ditë më parë një ftohje të kryeministrit Rama me Arben Ahmetaj e cila do ti kushtonte këtij të fundit karrigen e zv kryeministrit.
Cilat janë arsyet që Rama po e largon Ahmetajn nga kabineti:
Shkak për këtë lëvizje ka qenë intriga e krijuar për shkak të çështjes së inceneratorëve nga Arben Ahmetaj, i cili mendohet se ka furnizuar gjatë gjithë kohës me informacion LSI-në, duke krijuar kështu goditje poshtë brezit për Ramën dhe kabinetin e tij qeveritar.
Nëse i referohemi deklaratave të Monika Kryemadhit, në akuzat që ka bërë për inceneratorët ka vënë në dukje se vetëm Ahmetaj është i pastër nga kjo histori, pasi sipas saj ka refuzuar të firmosë për koncesionin.
Prej disa kohësh Rama ka shmangur daljet me Ahmetajn, madje kur shkoi në Komisionin Hetimor për inceneratorët, ai as emrin nuk i përmendi, por iu tha deputetëve “këtu e kishit, ta kishit pyetur”.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.