Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka njoftuar nisjen e një hetimi për të zbardhur shkaqet e aksidentit të rëndë hekurudhor në Urda, në provincën e Toledos, ku përplasja mes një treni të kompanisë Renfe dhe një treni të kompanisë Iryo ka shkaktuar të paktën 68 viktima dhe mbi 50 të plagosur.
Gjatë vizitës në vendngjarje, Sánchez deklaroi se hetimet do të shkojnë deri në fund dhe se, nëse konstatohen neglizhenca apo mangësi në sistemin e sigurisë, përgjegjësit do të përballen me masa të rrepta.
Aksidenti ndodhi pak para orës 09:00 të së mërkurës, në kilometrin e 118-të të linjës hekurudhore Madrid-Sevilje, pranë Urda-s.
Shkaqet e përplasjes mbeten ende të paqarta, ndërsa hetimet paraprake po shqyrtojnë mundësinë e një gabimi njerëzor.
Kjo është tragjedia e dytë e rëndë hekurudhore që godet Spanjën brenda këtij viti. Në janar, 46 persona humbën jetën nga dalja nga shinat e dy trenave të shpejtësisë së lartë në Adamuz, në provincën e Kordobës.
Sánchez theksoi se, megjithëse bëhet fjalë për dy aksidente të rënda brenda të njëjtit vit, ende nuk ka prova që ato të kenë të njëjtin shkak. Sipas tij, kjo çështje duhet të sqarohet nga komisioni i pavarur i hetimit të aksidenteve hekurudhore, organet e drejtësisë dhe institucionet përgjegjëse për sistemin hekurudhor, përfshirë Adif dhe Renfe.
Kryeministri nënvizoi se siguria në transportin hekurudhor duhet të forcohet më tej, në mënyrë që të rikthehet besimi i qytetarëve te trenat e shpejtësisë së lartë.
“Sot Spanja është në zi”, deklaroi Sánchez, duke shprehur solidaritetin me familjet e viktimave dhe të plagosurit që po marrin trajtim në spital. Ai njoftoi gjithashtu shpalljen e tri ditëve zie kombëtare, nga 29 deri më 31 tetor.
“Pas secilit prej personave që humbën jetën sot, ka jetë të shkatërruara dhe familje të rrënuara. Ka edhe ankth te familjet që ende nuk e dinë se ku ndodhen të afërmit e tyre”, u shpreh ai.
Prioritet, ndihma për viktimat dhe familjet
Sánchez bëri të ditur se, përveç zbardhjes së shkaqeve të aksidentit, përparësi për qeverinë mbetet kujdesi ndaj viktimave dhe familjarëve të tyre, si në aspektin material, ashtu edhe në atë psikologjik.
Ai vlerësoi punën e ekipeve të emergjencës, Mbrojtjes Civile dhe bashkëpunimin mes institucioneve për përballimin e situatës. Në këtë kuadër, përmendi autoritetet e rajonit të Kastiljes-La Mançës, përfaqësuesit e provincës së Toledos, bashkitë e Urda-s dhe Yébenes-it, si dhe ndihmën e ofruar nga rajone të tjera të Spanjës.
Kryeministri mbërriti në Urda rreth mesditës së të mërkurës, për të mbështetur ekipet e emergjencës dhe për t’u shprehur ngushëllimet të prekurve nga tragjedia dhe familjeve të tyre.