
Shqipëria importon 36 për qind të grurit nga Serbia dhe deklarata e Presidentit serb, që tha se Serbia do të lejojë eksportin e tij në drejtim të vendit tonë pritet që të reflektohet pozitivisht në uljen e çmimeve, ndonëse ato vështirë që të shkojnë në nivelet e para luftës.
Çmimi i miellit kapi majat pas deklaratës së Vuçiç që bllokoi eksportet e grurit dhe të miellit, duke shkuar nga 52 lek për kilogram në mbi 100 lek kilogrami. Kjo pasoi rritjen e çmimit të bukës me 25 për qind dhe të të gjitha produkteve të brumërave.
Megjithatë, çmimet nuk parashikohet që të rikthehen në nivelet e paraluftës, për shkak të bllokadës ukrainase të grurit, miellit, vajit dhe produkteve të tjera ushqimore. Kjo është njëra arsye, ndërsa arsyeja tjetër lidhet me trajtën oligopol të tregut.
Një hetim i vitit të kaluar i Autoritetit të Konkurrencës për katër kompanitë më të mëdha importuese të grurit dhe miellit në vendin tonë doli në përfundimin se kompanitë kishin dakordësuar rritjen e njëkohshme të çmimeve.
Ashtu si edhe nafta, ata thanë se shkak i rritjes ishte bërë rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Por, megjithëse gjeti shkelje, Autoriteti i Konkurrencës votoi 3-2 kundër gjobitjes së kompanive, që sipas ligjit do të duhej të paguanin mbi 30 për qind të fitimeve vjetore.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.