Shifrat nxjerrin zbuluar tregtarët e mëdhenj, çmimi i naftës në Shqipëri nuk vendoset nga çmimet e bursës

11 March 2022, 20:23Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Shifrat nxjerrin zbuluar tregtarët e mëdhenj, çmimi i

Çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare është përdorur si justifikim nga tregtarët e naftës për të rritur çmimin në Shqipëri. Por, luhatja në tregjet ndërkombëtare, sipas të dhënave historike të Global Petrol Price pak është reflektuar në vendin tonë.

Si shembull, kur shpërtheu kriza financiare në 2008-n, disa muaj më vonë një fuçi naftë shkoi në tregjet ndërkombëtare rreth 130 dollarë, ndërsa në Shqipëri një litër naftë shitej deri në 180 lek. Çmimi prej 130 dollarësh në bursën ndërkombëtare zgjati pak javë dhe nisi të bjerë gradualisht deri kur shkoi sërish mes 70 dhe 80 dollarëve për fuçi.

Por, në Shqipëri çmimi i naftës mbeti i lartë dhe ulja u reflektua pas disa muajsh, por jo në përmasën e bursave ndërkombëtare. Nëse në bursat ndërkombëtare, çmimi ra me 40 për qind, në karburantet shqiptare ai zbriti me 30 lek për litër, ose rreth 16-17 për qind, në një kohë që taksat mbi litrin e naftës nuk kishin ndryshuar.

Nëse ndiqet e njëjta logjikë, edhe në dy javët e fundit ka mospërputhje të mëdha mes çmimeve të naftës në bursë dhe atyre me të cilin ajo shitet në Shqipëri. Si shembull, në fillim të marsit nafta Brent shitej 112 dollarë për fuçi dhe në Shqipëri litri ishte 192 deri në 195 lek.

Pas kësaj, çmimi për një fuçi shkoi rreth 120 dollarë për fuçi dhe në Shqipëri një litër naftë shitej me 260 deri në 270 lek. Pas këtij piku, çmimi në bursën ndërkombëtare pësoi një rënie të lehtë, duke shkuar në 108 deri në 109 dollarë për fuçi, ndërsa një litër naftë në Shqipëri ra në 220 lek.

E shpjeguar më thjesht, kur nafta në tregjet ndërkombëtare me 112 dollarë fuçia, në Shqipëri një litër shitej me 192 lek. Kur në tregjet ndërkombëtare ra në 109 dollarë, në Shqipëri shitet me 220 lek dhe e gjitha kjo në harkun kohor të pak ditëve, kur regjimi i taksave është i njëjtë, ashtu si në shembullin e 2008-s.

Shifrat rrëzojnë alibinë e shoqatës së hidrokarbureve që thotë se çmimet i vendos çdo ditë në bazë të atyre që janë në tregjet ndërkombëtare.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 


Video