
Në çdo litër naftë që shitet në treg, Qeveria shqiptare mbledh 37 lekë akcizë, 27 lekë taksë qarkullimi, 3 lekë taksë karboni, 7 deri në 10 lekë taksë rilicencimi dhe 20 për qind TVSH, që varion në bazë të çmimit final të naftës.
Me çmimin e naftës 260 lek, sa është litri shuma që qytetarët paguajnë në formën e taksave është rreth 130 lek, ku peshën kryesore e zë TVSh, që me 20 për qind shkon në 52 lek për litër me këtë çmim.
Propozimet për heqjen, apo lehtësimin e taksave janë të shumta. Nga heqja e akcizës, te heqja e taksës së qarkullimit, asaj të karbonit e deri te thirrjet për heqjen ee TVSH-së.
Por, cili do të ishte ndikimi? Sipas një propozimi të depozituar nga LSI në Kuvend kërkohet heqja e taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit. Të dyja këto taksa janë 30 lek për litër naftë. Kjo do të thotë se çmimi do të ulej në 230 lek, shifër kjo sërish e lartë në krahasim me vendet e rajonit.
37 lek do të ulej çmimi nëse do të hiqej akciza, por kjo është një taksë që konsiderohet e paprekshme nga ekspertët dhe ekonomistët. Ajo që do të ndikonte më fort në zbutjen e çmimit është TVSh, që do ta çonte një litër naftë rreth 200 lek për litër.
Por, TVSh-ja është taksa që siguron të ardhurat më të mëdha në buxhetin e shtetit dhe heqja e saj te nafta dhe ushqimet, siç po kërkohet do të krijonte një gropë të madhe financiare dhe pamundësi reale për qeverinë që të shlyente detyrimet e veta financiare, ndoshta edhe duke vonuar e zvarritur rrogat e administratës.
Heqja e taksave të tjera ka ndikim të papërfillshëm në çmimin e një litri nafte. Por, një formulë mund të jetë përgjysmimi i TVSh-së dhe heqja e përkohshme e taksës së qarkullimit dhe karbonit. Kjo do të thotë se çmimi i një litri nafte do të ulej me me 50-60 lek për litër, duke iu përafruar atij të para dy javëve.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.