
Me çmimet e karburanteve që kanë kapur majat, shqiptarët pritet të paguajnë shumë më teper për të udhëtuar, si përmes mbushjes së makinave të tyre, ashtu dhe indirekt në kostot e transportit e produkteve të tjera të lidhura me arin e zi.
Çmimi i një litri naftë arriti në fundjavën e kaluar në nivele rekord të papara ndonjëherë, prej 230 lekë për litër. Në tre ditët e fundit të javës së kaluar, nafta u rrit tre herë, duke shkruar nga 192 lekë për litër në 230 lekë, ose 38 lekë më shumë. Duke i shtuar dhe shtrenjtimin e fillim shkurtit, vetëm këtë vit, nafta është rritur me 45-50 lekë për litër.
Aktorët e tregut japing si arsye shtrenjtimin e naftës në bursat ndërkombëtare, ku ari i zi tregtohet me rreth 118 dollarë për fuçi. Ata pohojnë se është krijuar një situatë e jashtëzakonshme për shkak të krizës Ukrainë-Rusi dhe tashmë në diskutim nuk është më çmimi, por sigurimi i produktit.
Sipas të dhënave nga doganat, konsumi i karburanteve në vend është rreth 600 mijë ton në vit. I gjithë konsumi në vend sigurohet nga importi, pasi rafineria e naftës ARMO, që më parë zinte rreth 30% tregut, ka rreth 4 vjet që nuk punon.
Në vitin 2021, çmimi mesatar i naftës, sipas INSTAT ishte rreth 170 lekë për litër. Në total, konsumi në vlerë (sasi x çmim për litër) vitin e kaluar vlerësohet rreth 102 miliardë lekë (840 milionë euro), sipas përllogaritjeve të Monitor.
Këtë vit, nëse çmimet do të qëndrojnë në këto nivele, për të njëjtën sasi prej rreth 600 mijë ton, konsumatorët do të duhet të shpenzojnë 138 miliardë lekë (rreth 1.13 miliardë euro), ose gati 300 milionë euro më shumë.
Shpenzimi mund të jetë edhe më i lartë për shkak të rritjes së ndjeshme të konsumit të karburanteve vitin e fundit (shih grafikun e importit të karburanteve), apo paparashikueshmërisë së çmimeve në tregun ndërkombëtar . Aktorët e tregut pohojnë se deri tani (përpara se të rritej çmimi në 230 lekë) nuk ishte vënë re ulje konsumit, për shkak se përdorimi i makinave është i domosdoshëm. E vetmja tendencë është rënia në pikat kufitare për shkak se personat që jetojnë në kufi e mbushin makinën në vendet fqinje, ku nafta kushton më lirë.
Edhe të dhënat e doganave tregojnë se në janar-shkurt 2022, importet e naftës u zgjeruann me rreth 5 mijë ton, me rritje rreth 6% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ndikuara nga shtimi i konsumit.