
Bankat e nivelit të dytë në Shqipëri kanë lëshuar për qytetarët mbi 1 milionë karta debiti, ose kartat që përdoren nga të punësuarit për të tërhequr pagat e tyre nëpër bankomatet e bankave.
Por, shifra e kartave të debitit të lëshuara nga bankat nuk përputhet me numrin e punonjësve të deklaruar në Tatime, që rezolton rreth 650 mijë persona. Diferenca prej 500 mijë vetësh nuk justifikohet me numrin e të dypunësuarve dhe për këtë arsye, Ministria e Financave e sheh këtë si tregues të informalitetit.
Strategjia e MF parashikon që të vendoset detyrimi që gjithë bizneset të cilat ushtrojnë aktivitet të shitjes me para në dorë në sektorin e tregtisë, turizmit dhe shërbimeve do të kenë detyrimin që të instalojnë POS. Vlerësohet që numri i njësive tregtare parësore dhe dytësore që do të përdorin terminalet POS të jetë rreth 130 mijë.
Masat e propozuara nga MF:
1-Vendosja e detyrimit të tatimpaguesve që zhvillojnë aktivitet në fushën e tregtisë , shërbimeve dhe turizmit që të instalojnë terminale POS;
2- Detyrimi për t’u pajisur me kartë debiti të gjithë të punësuarit në vend dhe aplikim penaliteti në rast refuzimi;
3- Krijimi i një grupi pune së bashku me Bankën e Shqipërisë dhe Shoqatën e Bankave për të ulur komisionet e përdorimit të terminaleve POS mes bankave të nivelit të dytë dhe tatimpaguesve si dhe ulja e kostos së mbajtjes së llogarisë bankare për individë dhe biznes të vogël;
4- Ulja e pragut për pagesat me para në dorë mes bizneseve nga 150,000 lek që është aktualisht në 80,000 lek.