
Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi se lufta në Ukrainë dhe sanksionet e vendosura ndaj Rusisë do të kenë një ndikim të madh negativ në ekonominë globale.
"Pasojat ekonomike janë tashmë shumë serioze”, tha FMN në një deklaratë.
Çmimet e ushqimeve dhe energjisë janë rritur ditët e fundit dhe zinxhirët e furnizimit janë shkëputur, duke rritur inflacionin në mbarë botën. Ekonomistët e JPMorgan Chase & Co ulën perspektivën e tyre për rritjen globale këtë vit me rreth një pikë përqindjeje dhe rritën vlerësimin e tyre të inflacionit po me një pikë përqindjeje.
"Nëse konflikti përshkallëzohet, dëmi ekonomik do të ishte edhe më shkatërrues. Sanksionet ndaj Rusisë do të kenë gjithashtu një ndikim thelbësor në ekonominë globale dhe tregjet financiare, me përhapje të konsiderueshme në vendet e tjera”, thotë FMN, duke theksuar se më të rrezikuarit nga kjo janë vendet e varfra dhe ato në zhvillim me ekonomi të pakonsoliduar.
FMN këshillon bankat qendrore që të mbajnë nën mbikëqyrje të veçantë inflacionin, ndërsa Qeveritë që të gjejnë mënyra për të mbështetur familjet e varfra përmes kompensimit të kostove në rritje të jetesës.
Ukraina ka kërkuar një ndihmë prej 1.4 miliardë dollarësh dhe zyrtarët e FMN-së do ta shqyrtojnë kërkesën që në fillim të javës së ardhshme, sipas deklaratës.