
“Kontrata për portin turistik të Durrësit nuk është firmosura akoma”, tha ministrja Belinda Balluku në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, ku sqaroi se gjithçka është në fazë negocimi.
“Kontrata për portin e Durrësit nuk është firmosur akoma, jemi në fazë negocimi. Është ngritur komiteti negociator me të gjithë ekspertët, janë ndjekur të gjitha hapat”, u shpreh ministrja.
“Është mbyllur një fazë e parë e negocimit. Prej disa muaj në portin ekzistues të Durrësit ka nisur faza përgatitore për të nisur projektin. Ka të bëjë me lirimin e hapësirave dhe kushteve për të nisur projektin”, shtoi Balluku.
Sa i përket pyetjes pse nuk është bërë me tender ky proces, ajo tha se është një investim i bazuar në instrumetin e bashkëpunimit midis 2 qeverive.
“Ky është një investim i bazuar mbi instrumentin qeveri me qeveri. Kemi firmosur në vitin 2019 një marrëveshje ndërqeveritare mes qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Emirateve të Bashkuara për disa hapa konkrete ekonomike ku përfshihet fusha e infrastrukturës, turizmit e të tjera”, tha Balluku.
Ministrja tha se porti tregtar i Durrësit do të zhvendoset tërësisht në Porto-Romano dhe do të jetë funksional brenda këtij mandati të qeverisë Rama.
Balluku shpjegoi se zhvendosja e portit tregtar nga qendra e qytetit ka qenë në planet e qeverisë që herët dhe lidhet me ankesat e qytetarëve për shkak të ndotjes dhe trafikut të rënduar që krijon në qytet.
Ministrja tha se investimi për këtë port do të shkojë deri në 290 milionë dollarë.
“Do ndërtojmë një port nga e para në Porto-Romano. deri tani kemi një shifër të përafërt me 190 mln dollarë për fazën e parë dhe faza e dytë 100 mln dollarë. Ka dy faza që shkojnë 5 vite në total. Faza e para e bën funksional brenda 24 muajve kështu që i bie në vitin e fundit të mandatit të tretë të qeverisë”, tha Balluku.