Alarmuese/ 9 elektricistë të rënë në detyrë në pak muaj! (Shifrat e frikshme dhe heshtja e OSHEE-s)

6 November 2026, 14:00Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Alarmuese/ 9 elektricistë të rënë në detyrë
9 elektricistë të vdekur

Altin Petanaj është elektricisti 45-vjeçar, i cili humbi jetën mesditën e sotme në fshatin Kocul të Vlorës.

Petanaj ra në kontakt me rrymën elektrike teksa grupi i punonjësve po kryente punime riparimi në nënstacionin elektrik. 

Nuk dihen ende rrethanat e plota të ngjarjes, por kjo tragjedi vetëm sa rëndon bilancin e elektricistëve që kanë rënë në krye të detyrës. 

Teksa jemi në fillim të muajit nëntor, në vitin 2026 kanë humbur jetën plot 9 elektricistë.  

Ditën e djeshme, në fshatin Vasije të Kalasë së Dodës, Lulzim Shehu u zu poshtë nga një shtyllë elektrike teksa ishte duke punuar. Një muaj më parë, Klajdi Zekthi humbi jetën në fshatin Trojas të Belshit, teksa po rregullonte një defekt. I riu ka rënë në kontakt me rrymën elektrike gjatë kryerjes së punimeve. 

Një ditë para tij, më 11 shtator, Ermal Dëbrova humbi jetën në fshatin Marglliç të Patosit. Ai ishte duke punuar në një shtyllë elektrike në momentin që ka rënë në kontakt me energjinë dhe ka ndërruar jetë. 

Ndërkohë, 3 ditë para tij, më 8 shtator, Muhamet Sylisufaj humbi jetën gjatë punës në rrugën e Dobravës, teksa 3 kolegë të tij u plagosën. Ai ra në kontakt me rrymën elektrike.

Edhe muajt e verës nuk i kursyen tragjeditë. Më 29 gusht, David Deda humbi jetën në fshatin Karmë të Vaut të Dejës (anës rrugës së Komanit).

Ngjarja ndodhi teksa ai dhe Sokol Preka (40 vjeç, roje i një lokali) po punonin për riparimin e një instalimi elektrik në ambientet e jashtme të një biznesi privat dhe ranë në kontakt aksidental me rrymën elektrike. 

Vetëm tre ditë para tij, më 26 korrik humbi jetën Agim Beqiri në fshatin Zërvaskë të Pogradecit, pasi ra në kontakt me rrymën elektrike. 

Ndërkohë, më 22 korrik, Bashkim Boçi humbi jetën në Himarë. Boçi po punonte për të riparuar defektet dhe për të rikthyer energjinë elektrike pas një stuhie të fortë që kishte goditur jugun e vendit. 

Ai ra nga një lartësi prej rreth 9 metrash nga një shtyllë elektrike pasi iu këput rripi i sigurisë dhe u dërgua në spital pa shenja jete. 

Ndërkohë, elektricisti i parë i vitit 2026, që do humbte jetën do të ishte Mark Prenga. Ngjarja ndodhi mëngjesin e 19 shkurtit 2026, rreth orës 09:40, në fshatin Rrilë të Lezhës. Ai po punonte për riparimin e një defekti në një shtyllë elektrike kur u godit nga rryma. 

Të gjitha këto ngjarje të rënda nuk mund të trajtohen në asnjë rast si statistika, pasi janë histori tragjike të njerëzve që humbën jetën duke siguruar energji për mijëra familje. 

Po ashtu, këto tragjedi, ngrenë pikëpyetje për kushtet në të cilat punojnë elektricistët në vend. Nga rënia në kontakt me rrymën elektrike, por mbi të gjitha rastet e rënda si Lulzim Shehu që u zu poshtë nga shtylla, dhe Bashkim Boçi që ra nga lartësia pasi iu këput rripi i sigurisë, tregojnë se këta punonjës, janë të ekspozuar çdo ditë ndaj rrezikut.  

Çfarë masash janë marrë për të parandaluar këto aksidente të rënda gjatë punës? A kryen kontrolle për kushtet në të cilat elektricistët punojnë? A i nënshtrohen një trajnimi punonjësit për kushtet e sigurisë dhe mbi çfarë kriteri përzgjidhen punonjësit e terrenit? 

Për këto pyetje "Shekulli" i është drejtuar me një kërkesë për informacion OSHEE-së që prej muajit shtator, e megjithatë, deri në publikimin e këtij shkrimi, nuk ka asnjë përgjigje.

Nga pajisjet mbrojtëse te procedurat e punës dhe mbikëqyrja teknike, çdo hallkë e dobët mund të kthehet në një tragjedi.

Për ata që punojnë mbi shtylla elektrike, energjia që sjell dritë në shtëpi mbetet çdo ditë një rrezik që mund t’u kushtojë jetën./Shekulli



Video