
Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, ka bërë prezantimin e tij publik dhe ka treguar prioritetet e detyrës së tij me anë të një video-mesazhi.
Wendt u ndal te forcimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe përmbushja e angazhimeve si aleatë, rritja e tregtisë dhe investimeve, si dhe intensifikimi i luftës kundër krimit transnacional.
Më tej, Wendt shprehu bindjen se përmes bashkëpunimit Shqipëria dhe SHBA-të mund të ndërtojnë një të ardhme me më shumë siguri, mundësi ekonomike dhe forcë të përbashkët.
Mesazhi i plotë i kryediplomatit amerikan:
Mirë se ju gjej! Unë jam Eric Wendt, Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë.
Ndërsa nis detyrën time si Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, dëshiroj t’u shpreh mirënjohjen time Presidentit Trump dhe Sekretarit Rubio për besimin e tyre. Gjithashtu, dua të falënderoj popullin e Shqipërisë për mikpritjen e ngrohtë dhe për dashamirësinë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë shërbimit tim të mëparshëm ushtarak, së bashku me Forcat Speciale të Shqipërisë, si dhe gjatë udhëtimeve të mia të mëparshme nëpër Shqipëri, ku kam takuar shqiptarë të zakonshëm në jetën e përditshme, kam përjetuar nga afër se shqiptarët janë një popull jashtëzakonisht mikpritës, punëtorë dhe krenarë. Gjatë muajve të ardhshëm, nën drejtimin tim si Ambasador, Ambasada e Shteteve të Bashkuara do të zhvillojë një proces vlerësimi që do të ndihmojë në formësimin e rrugës sonë përpara.
Si pjesë e këtij procesi, pres me kënaqësi të vizitoj zona të ndryshme të Shqipërisë. Në përputhje me praktikën standarde diplomatike, do të zhvilloj takime me përfaqësuesit e ndryshëm politikë të zgjedhur prej jush, si edhe me zyrtarë qeveritarë, drejtues ushtarakë, përfaqësues të komunitetit të biznesit, të sistemit të drejtësisë, si dhe drejtues të fushave të tjera.
Njëkohësisht, pres me interes të takohem edhe me qytetarë amerikanë dhe shqiptarë. Do të diskutojmë si mënyrat tradicionale, ashtu edhe qasjet e reja dhe krijuese për të bashkëpunuar në mënyrë efektive në të ardhmen, duke u përqendruar në tri fusha kyçe me përfitim të ndërsjellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërinë:
E para është: Të bëhemi më të fortë. Ne forcohemi kur ndërtojmë kapacitete të mirëfillta mbrojtëse dhe kur secili prej nesh përmbush pjesën që i takon si aleat.
E dyta është: Të bëhemi më të begatë. Do të gjejmë mënyra për të rritur tregtinë, investimet dhe mundësitë, duke sjellë përfitime të ndërsjella për amerikanët dhe shqiptarët.
E treta është: Të bëhemi më të sigurt. Do të bashkëpunojmë për të luftuar krimin transnacional dhe për të mbrojtur interesat tona të përbashkëta.
Ndërsa kryejmë këtë proces vlerësimi gjatë muajve të ardhshëm dhe përcaktojmë rrugën përpara drejt një ardhmërie më të fortë, begatë dhe më të sigurt, pres gjithashtu me kënaqësi të mësoj më shumë për popullin shqiptar, për historinë tuaj krenare dhe të përjetoj edhe një herë mikpritjen tuaj legjendare.
Jam vërtet i nderuar dhe i bekuar që kam mundësinë të shërbej në Shqipëri si Ambasador i Shteteve të Bashkuara. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria ndajnë një histori të fuqishme, një miqësi të thellë dhe një respekt të ndërsjellë. Së bashku, mund të arrijmë rezultate konkrete. Shkojmë së bashku!