"WizzAir anulon fluturimet dhe shet bileta tepër", gazetari: Pilotit iu kërkua të bënte fluturim shtesë edhe pse i lodhur

10 July 2022, 22:20Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
"WizzAir anulon fluturimet dhe shet bileta tepër", gazetari:
Wizz Air

Duket se nuk kanë fund skandalet për kompania ajrore "WizzAir".  Së fundmi, është gazetari nga Kosova, Enver Robelli i cili denoncon problemet e kësaj kompanie ajrore.

Në një postim në rrjetet sociale, Robelli shkruan se "WizzAir" ka anuluar disa herë fluturimin drejt Tiranës ose Prishtinës, si dhe denoncon se kjo kompani shet më shumë bileta se çmund të zërë avioni. Lidhur me anulimin e fluturimeve ai përmend rastin e fundit atë nga Friedrichshafen në Tiranë.

Ai gjithashtu denoncon dhe një tjetër skandal të regjistruar rreth një muaj më parë, ku sipas tij,  shefi i WizzAir, Jozsef Varadi iu ka kërkuar pilotëve që të bëjnë edhe nga një fluturim shtesë edhe pse janë të lodhur.

Robelli iu kërkon autoriteteve në Tiranë dhe Prishtinë që të ndërhyjnë dhe të marrin masa ndaj kësaj kompanie ajrore. 

"Qe disa javë ka probleme me fluturimet e kompanisë ajrore WizzAir për në Prishtinë dhe Tiranë. Udhëtarëve u anulohet disa herë fluturimi ose kompania shet më shumë bileta se ç’mund të zë avioni (si këtë fundjavë në fluturimin nga Friedrichshafen në Tiranë). Pastaj ndodhin tollovi në aeroport, përfshirë zhgënjimin e arsyeshëm të pasagjerëve. Para një muaji shefi i WizzAir, Jozsef Varadi, zemëroi pilotët kur tha se “të gjithë jemi të lodhur, por nganjëherë është e domosdoshme të bëjmë edhe një xhiro”. Ai shtoi: “Nuk mund të merremi me këtë biznes nëse çdo i pesti person në bazë lajmërohet si i sëmurë për shkak se personi në fjalë është i stërlodhur”. Shoqata e Pilotëve Europianë (European Cockpit Association) e bëri publik videon me fjalët e Jozsef Varadit dhe e kritikoi shefin e WizzAir se po i inkurajon pilotët të drejtojnë avionët edhe kur janë shumë të lodhur. “Kjo është sikur t’ia lësh çelësin e veturës një shoferi të dehur”, protestoi Shoqata e Pilotëve Europianë. Para se problemet me fluturimet e WizzAir të acarohen edhe më shumë, do të duhej të ndërhynin autoritetet në Prishtinë dhe në Tiranë. Kjo “kulturë e sigurisë” e WizzAir si dhe kaosi në fluturime në vijat që lidhin Prishtinën dhe Tiranën janë jashtëzakonisht problematike."- shkruan gazetari.

Kujtojmë se me rritjen e trafikut ajror, por edhe për shkak të mos përgjegjësisë së kësaj kompanie, vonesat me fluturimet e WizzAir nga dhe drejt Shqipërisë janë shtuar, duke shkaktuar probleme të shumta dhe stres mes udhëtarëve, të cilët nuk kanë asnjë formë mbrojtjeje.

"WizzAir anulon fluturimet dhe shet bileta tepër", gazetari:


Video