Shënim: Opozita shqiptare zhvilloi pasditen e së enjtes një protestë përballë zyrës së Qeverisë në Tiranë.
Arsyet sipas organizatorëve, ishin korrupsioni, rritja e çmimeve, pagat e ulëta, informaliteti dhe krimi i organizuar.
Në fakt të gjitha këto janë shqetësim real.
Madje shumë më shumë se këto sa çdo qytetar që ende s’ka lindur ditën që do të vijë në këtë botë do të jetë me borxhe kolosale.
Koncesionet e pa fre që ka dhënë qeveria, makutëria e oligarkëve, ligjet abuzive korrupsioni e kanë zhytur vendin në një krizë të thellë.
Por në vend që opozita ‘parimore’ që nxori mijëra qytetarë në shesh të fliste me emra dhe me alternativa, nuk e bëri këtë gjë, por thjesht përdori retorikë boshe.
Nëse çmimi i naftës është rritur abuzivisht, është Shefqet Kastrati dhe Paulin Gega që e dominojnë tregun. Për opozitën këta nuk përmenden.
Që ligjet bëhen për Samin Manen, ku ndryshohet harta territoriale, ku shërbime publike me paratë e shtetit bëhen për rezidencat e tij, është një fakt që nuk shikohet nga opozita.
Që Bashkim Ulaj bën një nga falsifikimet më të rënda korruptive siç ishte skandali i Unazës së Madhe, apo koncesioni 1.3 miliardë euro për rrugën Thumanë Kashar është një gjë e vogël për opozitën.
Për të mos vijuar me emra të tjerë, të cilët diku më shumë e diku më pak e kanë gllabëruar këtë vend.
Njerëzit sot janë realisht në vështirësi. Makinat lëvizin më pak, për shkak të naftës. Në bregdet shkojnë më pak sepse çmimet janë rritur. Ushqimet e shportës janë dyfishuar dhe lista nëpër dyqane është bërë kilometrike.
Këto janë hallet e njerëzve dhe këto duhet të dëgjoheshin në protestë.
Por me sa duket qëllimi i saj ka qenë, një dhe i vetëm: Sali Berisha t’u tregojë amerikanëve që ka mbështetjen e popullit. Nëse kanë pasur këtë; urime. Populli do vijojë të hajë bar...
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.